Zbardhet formula e shkrirjes së PDR-së me PD-në
Eljona Ballhysa
Burime nga dy partitë aleate kanë zbardhur për gazetën “Albania” formulën e shkrirjes së Partisë Demokrate të Re me Partinë Demokratike. Pas ndarjes gati 10 vjet më parë të kësaj partie, drejtuesit e saj kanë vendosur së fundi që të rikthehen sërish në gjirin e PD-së. Por rikthimi duket se nuk do të jetë pa kushte. Përkundrazi, burimet kanë bërë të ditur se demokratët “e reformuar” do të kenë hapësira në Partinë Demokratike, ku nuk përjashtohen dhe postet drejtuese në kupolën “blu”.
Shkrirja
Kështu sipas burimeve, negociatorët e të dyja partive kanë rënë dakord që PDR-ja të ketë hapësira përfaqësimi në të gjitha strukturat drejtuese të Partisë Demokratike. Shkrirja do të fillojë nga strukturat në bazë të partive respektive dhe deri në Kryesinë qendrore. Kështu, PDR-ja do të ketë përfaqësim në bazë të përqindjes që ka marrë në zgjedhjet parlamentare në kryesitë e degëve të Partisë Demokratike. Po e njëjta formulë përfaqësimi do të ruhet dhe për strukturat më të larta, siç është Kuvendi Kombëtar i PD-së, Këshilli Kombëtar dhe Kryesia qendrore. Pra PDR-ja do të ketë përfaqësuesit e saj që do të përfshihen në këto struktura, duke krijuar një shkrirje të balancuar. Po kështu, burimet kanë bërë të ditur se drejtuesit e lartë të Partisë Demokrate të Re, pra kryetari Genc Pollo dhe nënkryetari Tritan Shehu, që janë ish-figura me peshë të PD-së, tashmë do të përpiqen të rikthen me poste në këtë parti. Fakti se Genc Pollos i është ngarkuar së fundi një post i rëndësishëm qeveritar, si ai i zëvendëskryeministrit, rrit shpresat e reformatorëve për një përfaqësim të mirë dhe në strukturat e larta drejtuese të Partisë Demokratike.
Rikthimi
Në vitin 1999 nga Partia Demokratike vendosën të largohen anëtarët e Lëvizjes Reformatore brenda partisë, lëvizje kjo që u drejtua nga Genc Pollo. Kështu, nga PD-ju u larguan Genc Pollo, Tritan Shehu, Ferdinand Xhaferaj, Nard Ndoka, Jak Ndokaj, Leonard Demi, Ilir Berzani, Sajmir Curri, të cilët krijuan Partinë Demokrate të Re. Ky grup e arsyetoi largimin me mungesën e konkurrencës së ndershme brenda partisë. Pikërisht anëtarët e mbetur nga PDR-ja, Pollo dhe Shehu, kanë shtuar së fundi deklaratat publike për një bashkim me PD-në. Pra vihet re përpjekja e rikthimit në parti të Genc Pollos dhe të Tritan Shehut, të cilët më parë kanë mbajtur postin e nënkryetarit të Partisë Demokratike. Tritan Shehu e shikon bashkimin me PD-në si zhvillim të klasës politike shqiptare, pasi tashmë, sipas tij, pranohet mendimi ndryshe brenda partisë.
25 Shtator 2008