Itali, ndalohet Hatija, kërkohej për vepër të rëndë penale
Policia italiane ndaloi dy ditë më parë për llogari të Interpol Tiranës, në Prato, Itali, Marjus Hatijan, 20 vjeç, lindur në Fier. Sipas të dhënave që Policia shqiptare ka marrë nga kolegët e tyre italianë, rezulton se Hatija përdorte identitet të rremë në shtetin përtej Adriatikut. Ai posedonte një pasaportë me emrin Reni Rista, por pas verifikimit të shenjave të gishtave rezultoi se personi nuk ishte tjetër veç Hatisë, i cili me vendimin nr. 168, datë 14 maj 2007, ishte lënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier nën masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale të “vrasje me paramendim e mbetur në tentativë në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”. Sipas vendimit të gjykatës, më 14 prill 2007, në vendin e quajtur Mbrostar-Fier, Marjus Hatija, në bashkëpunim me Florant Hatijan dhe Mysret Hoxhajn kanë tentuar të vrasin shtetasit Sabri dhe Dashnor Ndreu. Mysret Hoxhaj është ekstraduar nga Franca më 16 prill të këtij viti.
25 Shtator 2008