Arrestohet 20-vjeçari, u shiste drogë gjimnazistëve
Gjimnazistët e Tiranës ishin klientët më të mirë për një 20-vjeçar, i cili shpërndante lëndë narkotike. Valter Koço kishte zgjedhur kohën e pushimit mes orëve të mësimit, shkonte pas godinës së shkollës dhe nëpërmjet dritareve kryente tregtinë e drogës me gjimnazistët. Kjo metodë e tij është zbuluar nga agjentët e antidrogës së kryeqytetit, të cilët e kanë arrestuar shpërndarësin pas denoncimit nga një tjetër adoleshent. Fillimisht, policia ka kapur për mbajtje të lëndës narkotike të riun Gentian H. Ai është kapur në ambientet e shkollës së mesme të përgjithshme "Qemal Stafa", në Rrugën e Durrësit. Grupi hetimor bëri të ditur se atij i është gjetur një sasi e vogël kanabisi. Menjëherë, ai është shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku është marrë në pyetje për mënyrën e sigurimit të lëndës narkotike. Gentian H., i cili është frikësuar për fatin e tij, ka treguar për policinë se drogën e kishte blerë nga 20-vjeçari Valter Koço. Pas marrjes së informacionit për këtë person, policia ka nisur punën e mëtejshme hetimore, duke e mbajtur nën vëzhgim të dyshuarin. Kështu, policia ka zbuluar se ai u shiste drogë gjimnazistëve. Pas zbulimit të tij, policia bëri të ditur se nga specialistët e seksionit të Luftës Kundër Drogës u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Valter Guri Koço, 20 vjeç, lindur dhe banues në Korçë. "Arrestimi i tij u krye sepse rreth orës 10:30 u kap në rrugën e Durrësit, mbrapa shkollës së mesme "Qemal Stafa" në Tiranë, me lëndë narkotike e dyshuar kanabis", tha policia. Më tej, uniformat blu sqaruan se pas kryerjes së veprimeve procedurale, u mundësua një kontroll i imët i banesës, që posedohej me qira nga Valter Koço, ku u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lëndësh narkotike prej 55.5 gramë e llojit kanabis, një celular "Nokia" dhe shuma e parave prej 500 lekësh, për të cilat dyshohet se është përfituar nga shitja e bimës narkotike. Policia kreu veprimet hetimore, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës.