Kujdes nga mashtruesit e "punës", që publikojnë oferta të rreme
Agjencitë private të punësimit, që ofrojnë këtë shërbim përmes ofertave për vende pune jashtë apo brenda vendit, janë vënë në shënjestrën e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Në një qëndrim zyrtar, ky institucion bëri me dije se "për subjektet abuzive do të kërkohet verifikimi dhe hetimi nga ana e institucioneve përkatëse, nëse ato konsumojnë elementët e figurës së veprës penale të mashtrimit". Përfaqësuesit e kësaj ministrie paralajmërojnë të gjithë të interesuarit, që të mos pranojnë ofertat e punës nga këto agjenci, shpeshherë shumë joshëse, në rast se ato nuk janë të licencuara apo nëse nuk kanë marrë miratimin paraprak për kontratat e punës që ofrojnë. "Në bazë të legjislacionit në fuqi, agjencitë private të punësimit, si dhe çdo subjekt vendas apo i huaj, i interesuar për qëllime punësimi, formimi profesional nëpërmjet punës, punësimi stinor ose ndërkufitar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, duhet të marrë një miratim zyrtar nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, përpara se t‘i bëjë publike ofertat përkatëse", sqarohet më tej në qëndrimin e zyrtar të Ministrisë së Punës. Ata bëjnë me dije se, aktualisht, ka nisur kontrolli dhe verifikimet përkatëse, nëse veprimtaria e këtyre subjekteve është korrekte me ligjin ose jo. Ky kontroll ka filluar pas marrjes së informacioneve për raste mashtrimi në këtë fushë. Për këtë, Ministria e Punës ka filluar bashkëpunimin edhe me Inspektoratin Shtetëror të Punës.
Po kështu, ky institucion njofton se shërbimet që duhet të kryejë çdo agjenci për ata që kërkojnë punë pranë tyre, duhet të jenë falas dhe këto detyrime duhet të shlyhen nga punëdhënësit. Në të kundërt, ka shkelje ligjore. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Punës, gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre ka subjekte që aplikojnë ndaj personave të interesuar tarifa regjistrimi apo shërbimi. Kjo gjë është e ndaluar. Në bazë të vendimit që përcakton kriteret për licencimin e subjekteve private të punësimit, saktësohet se "shërbimet e agjencisë për punëkërkuesit janë falas". Agjencia nuk duhet ta ngarkojë punëkërkuesin me asnjë detyrim financiar, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Përjashtim bën vetëm pagesa e shpenzimeve të nevojshme për plotësimin e dosjes administrative të çdo punëkërkuesi. Shpenzimet për shërbimin e ndërmjetësimit, të kryer nga agjencia, përballohen nga pala punëdhënëse.
Gjithashtu, theksohet fakti se agjencia ka detyrimin që të njoftojë punëkërkuesin për kushtet e punës dhe të punësimit, përpara fillimit të këtyre marrëdhënieve.
Ky institucion ka deklaruar se "për çdo rast të verifikuar të subjekteve, që ushtrojnë aktivitet të palicencuar, ose të licencuar, por që veprojnë në kundërshtim me legjislacionin, do të marrë menjëherë masat e duhura, duke filluar nga kontrolli që do të ushtrojë Inspektorati Shtetëror i Punës, heqja e licencës nëse ka, njoftimi i organeve të tatim-taksave dhe masa të tjera".