Pranga katër të rinjve, akuzohen për disa vjedhje
Katër të rinj janë dërguar për ndjekje penale, pasi dyshohen se kanë kryer disa vjedhje në vende të Qarkut të Tiranës. Sipas policisë kryeqytetase, nga Komisariati nr. 4 u krye ndalimi i Ledio Shehajt, 20 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje. Më datë 4 janar 2008, Prokuroria e Tiranës ka lëshuar ndaj tij urdhrin e ndalimit, pasi dyshohet të jetë autor i vjedhjes së disa materialeve me vlerë 51 480 lekë, brenda shkollës "Bajram Curri". Kjo vjedhje është kryer më datë 30 qershor 2004. Ndërkohë, nga shërbimet e Komisariatit të Kavajës u arrestua Shpëtim Prendi, 38 vjeç, lindur e banues në fshatin Çermë të Komunës Tërbuf Lushnjë, i proceduar më parë për armëmbajtje pa leje. I sipërcituari u kap gjatë natës bashkë me Abaz Vrapin, 39 vjeç, duke vjedhur pjesë këmbimi dhe mjete pune në servisin e një shtetasi. Ndërkohë, po punohet për kapjen e shtetasit Abaz Vrapi, tashmë i identifikuar. Ndërsa pranë seksionit Kundër Vjedhjeve të Tjera ka depozituar kallëzim penal një shtetas dhe filloi procedimi penal në ngarkim të shtetasit Leonard Hasan Xhepa, 24 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i cili është aktualisht i arrestuar për vjedhje. Për këtë shtetas u dokumentua tërësisht implikimi i tij në vjedhjen e një gjeneratori. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për të bashkuar të gjitha procedimet e kryera prej tij.