E Diel, 1 Nëntor 2026

Pusi 542, "heroi" i naftës që tani nxjerr vetëm ujë

Sot shumë pak e dinë që një çezmë disi e veçantë për nga grykëderdhja, që ndodhet në mes të pyllit me hekur, në zonën e Marinzës, 9 kilometra larg nga qendra më e populluar e Fierit, mbart një histori të tërë të naftës në vend. Vetëm pak naftëtarë, nostalgjikë të kësaj fushe, si dhe shumë pak familjarë nga ish- naftëtarët e parë, e dinë se pusi me numër 542 ka qenë shenja e parë që tregoi se Marinza do të ishte djepi i naftës për qindra vitet e ardhshme. Të takosh ata që përjetuan momentet e para të asaj vere të vitit 1957 është mjaft e vështirë, pasi shumë i kanë dhënë lamtumirën jetës, e shumë të tjerë kanë emigruar e migruar. Në qytezën e Patosit, që është shumë pranë me 542, tek-tuk të flasin për historinë e vërtetë të këtij sinjali të parë, kurse në qytetin e Fierit, shtresa e veteranëve të naftës kërkon ta kenë si trofenë e tyre pikërisht këtë emblemë të Marinzës.

Por, pikërisht te kjo e fundit, ndërsa mbi 1000 puse janë ende duke u shfrytëzuar, janë të shumtë ata banorë që përdorin "begatinë" që rrjedh nga shkëndija e parë, pusi 542, por nuk dinë asgjë për atë të shkuar plot 50-vjeçare të tij.

Harresa

Kulla e gjatë, e hekurt, që ka qëndruar për afro 10 vjet, deri në vitin 1967, tashmë nuk ekziston më. Pas shterimit dhe harresës shumëvjeçare, nga një tub në formë U-je me bazë lart tani buron pambarim ujë dhe jo naftë. Kanë qenë shfrytëzuesit e huaj të puseve ata që kanë kthyer "popullimin" shumë më ndryshe të shkëndijës së naftës në këtë zonë të njohur naftë-nxjerrëse, siç është Marinza.

Një banor i zonës të tregon se bashkëshortja e tij, si dhe gratë e fshatit, vijnë përditë në këtë ish-pus nafte, pasi vitet e fundit ai përdoret si çezmë uji. "Ka ujë të ngrohtë dhe me përmbajtje disi të veçantë, që shkumëzon rrobat e teshat dhe gratë preferojnë t‘i lajnë aty. Edhe tani në stinën e dimrit uji është mjaft i ngrohtë dhe i kthjellët kur e sheh", tregon Thoma Golloshi, një banor i Marinzës. Një tjetër naftëtar, Viktor Dhanili, punon në Sektorin e Dytë të Qendrës së Nxjerrjes së Naftës në Marinëz. Gjendet në orarin e punës për mbarëvajtjen e vulfit të pusit me nr.2511, që i është bashkangjitur 542-it të famshëm. Ai tregon se si ish-pusi i parë, që lajmëroi se kjo zonë ka një shtresë me "ar të zi", sot është një çezmë në shërbim të një komuniteti të madh.

"Edhe ne naftëtarët e vjetër, por edhe banorët e fshatit këtu pranë, e përdorim", thotë ai ndërsa shton se "uji i tij sot ka një përqindje të lartë squfuri dhe kjo e bën këtë perlë fillestare të të gjithë këtij pylli me puse, që të cilësohet si një mini-llixhë e që ndoshta nesër mund të ndërtohet një e tillë". Dhanili pohon se gjatë fundjavës këtu sheh me dhjetëra gra, që me govata e tesha lahen si dikur. Duart i fut në ujin e ngrohtë që buron nga pusi, dhe kujton ditët e para të shënjimit të 542, se si është evakuuar së bashku me familjen e tij drejt Levanit. Ishte rreziku i fontanës së pakontrolluar të naftës, që ndoqi edhe fatin e këtij pusi të parë në ato vite. Nga shumë naftëtarë të vjetër mësojmë gjithashtu se çezma e ngrohtë e zonës, që mban dhe numrin e pusit të dikurshëm 542, është e rrethuar aty këtu me kangjella, është sheshuar e mermerizuar sipërfaqja e sheshit të saj, e mbi të është vendosur një tendë llamarine. Sot, ata që e dinë historinë e vjetër të Marinzës thonë se "ky është monumenti dhe Heroi i Kombit dhe si i tillë shërben edhe si kult nderimi për naftë-nxjerrësit dhe përpunuesit".

Kujtimet

Pasi ishin kryer manovrime të ndryshme nga specialistë shqiptarë, që qendrën e tyre e kishin në Kombinatin e Naftës në Kuçovë të Beratit, nisi dhe shpimi, si dhe prova e parë për këtë zonë. Por, ajo provë shënoi dhe dështimin për shfrytëzim të menjëhershëm, duke çuar këtë vendburim të parë nafte në Marinëz drejt fontanës (rrjedhjes së pakontrolluar të naftës).

"Mbaj mend se në fontanën e parë, në pusin 542 të Marinzës, në vitin 1957 ishim i gjithë turni. Erdhi karotazhi dhe bëri përforcimin e pusit. Kjo do të thotë plasje e fundit të pusit dhe hapje drejt shtresës naftëmbajtëse. U bë ardhja e pusit, dalja e ujit në sipërfaqe. Filloi karotazhi të ngrejë kabllin. Pas 5-6 minutash, kablloja filloi të dalë vetë. Në këtë kohë shpërtheu fontana, toka u hap dhe nisi të nxjerrë llavë nafte dhe flaka u ndez pas ca çasteve. Ne ishim fare pa eksperiencë në shpërthimin e fontanave, pasi kjo ka qenë e para fontanë. Vjen i alarmuar drejtori i Përgjithshëm i kombinatit të Kuçovës, Ramiz Xhaxhia, një naftëtar mjaft i zoti. Ne, duke qenë të rinj dhe pa përvojë, menduam se fontana do të ndërpritej për pak orë, por ajo jo vetëm që nuk pushoi, por vazhdoi një muaj rresht. Erdhën specialistë të huaj, kryesisht rusë. Pusi shpërtheu në fund të majit, dhe në qershor pushoi". Kështu e ka përshkruar në dorëshkrimet e tij një nga naftëtarët e asaj kohe, Dhoska Tundja, ngjarjen e veçantë të shpimit të pusin 542. Ai ka marrë plagë të rënda nga kjo fontanë. Shumë naftëtarë shqiptarë u dogjën, madje Mynyr Tringa dha jetën mes flakëve të këtij shatërvani nafte.

Masat që u morën, sipas naftëtarit tjetër të pusit të parë të 542, ishin të shumta. Ai pohon se falë ndërhyrjes ruse, situata u vendos nën kontroll vetëm pas katër javësh. "Vendosëm armaturë, pasi kjo ishte fontana më e rëndë. U vendosën 2 traktorë pastrues dhe 3 arganello dore. Por, këtu u bë një gabim, një traktor e ngrinte armaturën dhe tjetri ishte vendosur gabim, duke shpërthyer fontana edhe në grykën e pusit. Flaka shpërtheu me një zhurmë kaq të fuqishme sa tronditi dheun. U dogjën një polic, 2 specialistë rus dhe një punëtor, të cilët u çuan menjëherë në spital. Mundëm të rrëzonim kullën dhe u bë pastrimi i saj. Këtu filloi edhe puna jonë më e vështirë. Së bashku me zjarrfikësit, pastronim kullën, që shkrinte nga nxehtësia. Mbaj mend se unë, së bashku me shokët e mi naftëtarë, u lidhëm me litar dhe uji i zjarrfikësve na binte me presion mbi kurriz dhe mbi metalin përcëllues të kullës. Po të ndalohej qoftë edhe pak sekonda, ne digjeshim, pasi nxehtësia ishte 90 atmosferë në grykë të pusit. Pasi u bë pastrimi dhe larja e territorit u çua një eksploziv me dekovil që shtyhej me krahë. Provuam disa herë, me dështime dhe suksese, derisa më në fund zjarri u fik. Pasi zjarri u shua, u forcua gryka e pusit, u vendos armaturë. Lart në kodër u bë një gropë e madhe ku u dërgua nafta. Fontana ishte e mbarë. Jo vetëm që pusi u vu në shfrytëzim, por jepte në 24 orë plot 1400 tonë naftë", tregon plot pasion Tonin Bele, një tjetër naftëtar i vjetër. Zjarri 30-ditor, që shënjoi fontanën e 542-it, shkëlqente rrugët e Patosit, ndërkohë që askush nuk mundi të nxirrte përfundime të atij dështimi dhe fitoreje të madhe njëkohësisht. Ajo çka u vërtetua ishte se mungesa e eksperiencës shqiptare në fushën e naftës kërkoi ndërhyrjen e sovjetikëve dhe mendimi për sabotim nga këta të fundit nisi të ndryshonte faktet e historisë. Katër vjet pas kësaj ndërhyrjeje sovjetike në Marinëz, Shqipëria shkëput marrëdhëniet me ish-Bashkimin Sovjetik.

Besimi te sovjetikët

Inferioriteti i shqiptarëve shkoi deri në pasojat e një përdhunimi. Përveç profesionalizmit dhe zhvillimit ekonomiko-social, banorët e Patosit, që kanë bashkëjetuar pak vite me familjet ruse, që punonin në zonën e Marinzës e pikërisht te 542, edhe sot ruajnë kujtimet e asaj kohe. Ata tregojnë se profesionalizmi i tyre, pavarësia që kishin, si dhe konsumi i vodkës, qysh nga mëngjesi deri pak minuta pas mëngjesit të ardhshëm, i bënte shqiptarët të ndiheshin inferiorë dhe të gjunjëzuar para tyre. Madje, shumë nga bashkëkohësit e tyre në vitet 1957 deri në 1961 tregojnë se ka pasur nga ata shqiptarë, që duruan prekjen në moral nga rusët, demaskimi i të cilëve nuk bëhej dot, sepse partia e atëhershme, ajo komuniste, nuk të lejonte. Një episod kujtohet me detaje edhe gjatë ditëve të sotme. Sipas Lames, ish-shofer i rusëve, mësohet se disa rusë dhe shqiptarë pinë gjatë mbrëmjen e nëntorit të vitit 1957. Pinë aq shumë sa nisën të mos e kontrollonin veten. Një shqiptar, shoqërues i tyre, kishte vetëm dy muaj që ishte martuar dhe gruaja e tij e re dhe e bukur lakmohej nga rusët. Njëri prej këtyre të fundit e përdhunon vetëm pak metra larg, ku shokët e dy kombeve ende po pinin, kurse shqiptari, bashkëshorti i të përdhunuarës, nuk mundi të tregonte, por vetëm vuajti për disa vjet, deri sa vrau veten, duke marrë pas dhe atë që la shija e mirë dhe e keqe ruse.

Rusët, para se të përballonin fontanën e 542-it, kishin shpuar një pus në zonën e Vajkanit, sot përgjatë rrugës Fier-Lushnjë, por nuk mundën të merrnin asnjë pikë nafte. Ndërsa, vendi i pikasur nga shqiptarët e pasuar nga ata, siç ishte Marinza, edhe sot lakmohet nga grosistët e naftës, që aktualisht janë shoqëria shtetërore "Albpetrol" sh.a., dhe ajo e huaj, "Bankers petrolium".

Historia

Një histori të vërtetë për këtë zbulim tepër të rëndësishëm të 50 viteve të shkuara kanë shkruar Leonidha Marku dhe Sulo Brahimaj, naftëtarët e parë që kanë punuar që nga evidentimi i shtresave të naftës në Marinëz, në vitin 1955 dhe deri te shpimi i pusit të parë. Leonidha, ndërsa kujton me nostalgji punën e atyre ditëve të zjarrta, rendit një numër të madh emrash që kanë ndikuar në këtë zbulim. Ai thotë se historikun e përgatitur me ish-shokun e punës do t‘ia dërgojë ministrit aktual të Energjetikës, Genc Rulit, krerëve të "Albpetrolit", si dhe disa strukturave të larta shtetërore. Ndërsa ka shumë ditë pune dhe mundimi e fitoreje për të treguar, nuk harron të deklarojë për harresën në vite të kësaj risie të Marinzës.

Dokumentimi i 542

Pas viteve ‘60-të, "Pusi 542" u bë objekt i një prodhimi të "Kinostudios", me regjisor Ilon Pandon dhe operator Agim Fortuzin. Ky film, që ka fituar disa çmime ndërkombëtare, u shfaq vitin e kaluar, gjatë ditëve të kulturës ruse, si film përshëndetës për banorët e Kuçovës, pasi jeta e tyre është e lidhur ngushtësisht me naftën. Filmi tregon përpjekjet e naftëtarëve për të shuar flakët e zjarrit, që përpinë pusin 542.

Punëtorët e parë

Edhe pse janë pak ata që kanë mundur të fokusohen në të vetmen fotografi që ka ardhur deri në ditët e sotme, si dhe që është mundësuar nga gazeta jonë, të shumtë janë emrat që kanë punuar për evidentimin dhe mbarëvajtjen e mëvonshme të pusit të parë 542. Ramiz Xhabia, Lipe Nashi, Kiço Kasapi, Polikron Cane, Pirro Bozgo, Rexhep Reka, Dilaver Shkurti, Pavllo Panajoti, Zyhdi Kokomani, Ramadan Reshati, Niko Goxhobushi, Selim Deliu, Sulo Kurti, Lame Koçi, Dhoskë Tundja, Fadil Muço, Naun Niko, Hasan Mahmuti, Hasan Hajdari, Axhem Bulo, Bibil Shako, Sifi Prifti, Leonidha Marku etj. Numri i tyre duket i pafund dhe është e pamundur që t‘i përmendësh të gjithë. Por ajo që do të kujtohet gjithmonë është historia e naftës në pusin 542, në të cilin ata të gjithë bashkë kontribuuan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›