Greva e urisë, rëndohet gjendja e tregtareve
S‘kanë ku të zhvillojnë aktivitetin tregtar dhe janë në prag të vetëflijimit. Pesëmbëdhjetë gratë greviste të qytetit të Fierit kanë hyrë në ditën e gjashtë të protestës. Ato paraqiten në gjendje të rëndë shëndetësore, por nuk zbatojnë urdhrin e mjekut për të ndërprerë grevën. Ndërsa kreu i Bashkisë së Fierit deklaron se ende nuk ka gjetur një vend të përshtatshëm për tregtarët ambulantë që protestojnë.
Disa prej tyre janë edhe më rëndë. Sipas mjekut Maksim Tanaka, 4 prej grevisteve duhet të largohen patjetër nga greva. Ato paraqesin kriza të thella në zemër dhe tension të lartë. Protestueset shprehen të vendosura për të qëndruar në grevë urie deri në vetëflijim. "Më tha mjeku se duhet ta braktis grevën, por do të qëndroj deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit tonë", u shpreh Violeta Zotaj, greviste.
Në ambientet e tyre hyjnë vetëm mjekët, ndërsa një grup shërbimi nga Komisariati i Policisë Fier qëndron pa shkëputje në hyrje të banesës. Ato vazhdojnë t‘i qëndrojnë kërkesës së tyre për një ambient tregtar në këtë qytet. "Ne nuk duam këmbën e urës, por një treg të posaçëm", shprehen grevistet. Ndërsa shtojnë se "është keqkuptuar kërkesa jonë". "Ne duam një vend tjetër tregtimi dhe pikërisht atje të përqendrohet i gjithë tregu industrial i Fierit,ashtu siç është paraqitur deri tani afër lumit Gjanica", tha Ëngjëllushe Rushiti.
Bashkia e Fierit është shprehur se nuk ka tolerim në lëshimin e urës për tregtarët. Sipas kreut të bashkisë, shumë shpejt do të vihet në dispozicion një vend për vijimin e aktivitetit të gjithë tregtarëve ambulantë dhe të tregut industrial në Fier. "Unë jam pro kërkesës së tregtarëve për ndërtimin e tregut industrial në një vend, por bashkia nuk ka në dispozicion një sipërfaqe që të mbledhë afro 700 tregtarët e tregut industrial, ndaj ka vënë në dispozicion disa minitregje". Kështu u shpreh dje kreu i bashkisë, Baftjar Zeqaj. Ndërsa shtoi se brenda një afati kohe shumë të shkurtër, çështja e tregut në Fier do të gjejë zgjidhje.