Arrestohet në Belgjikë, akuzohet për gjashtë vrasje
Arrestohet në Belgjikë Behar Bajri, i akuzuar për një seri ngjarjesh kriminale në Shqipëri, ndër të cilat edhe për ekzekutimin e një punonjësi policie. Interpoli ka njoftuar pasditen e djeshme policinë shqiptare, për ndalimin e Bajrit në lokalitetin Gent, Belgjikë. Ai përdorte gjeneralitete false me emrin Mitko Kamenov, i datëlindjes 25 maj 1978. "Arrestimi i tij është bërë i mundur mbas një ndjekjeje sistematike shumë profesionale të strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe bashkëpunimit e shkëmbimit të vazhdueshëm të informacionit ndërmjet Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me Interpolin dhe Policinë Belge", tha Policia e Shtetit. Sipas saj, Behar Bajri është i njohur si kontingjent kriminal për shkak të kryerjes së disa krimeve të rënda në qytetin e Shkodrës ndër të cilat: Vrasjen me armë zjarri të punonjësit të policisë Petrit Demiri, krim për të cilin pas arrestimit të tij është dënuar me vetëm dy vjet burgim. Ai është dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2 (dy) milionë lekë gjobë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë për kryerjen e veprës penale të "shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë". Është autori i dyshuar për disa vrasje të kryera në qytetin e Shkodrës, ndërkohë është arrestuar disa herë nga strukturat e policisë dhe për veprën penale "armëmbajtje pa leje", thanë burimet nga policia. Ai dyshohet se më datë 14 janar të vitit 1999, rreth orës 19:00, në lagjen "Vojo Kushi", në Shkodër, ka vrarë me armë zjarri vëllezërit Artur e Osman Alibali, përkatësisht 35 dhe 37 vjeç. Kjo çështje ka qenë e pezulluar për moszbulim autori që më 30 nëntor të vitit 2000. "Si rezultat i punës hetimore të kryer nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër në bashkëpunim dhe me prokurorinë e rrethit u bë i mundur grumbullimi i provave mbi autorësinë e këtij krimi dhe rifillimi i hetimeve më datë 18 gusht të këtij viti", thanë burimet nga policia. Nga hetimet rezultoi se autorë të kësaj vrasjeje ishin shtetasit Frederik Tota, Behar Bajri. 24-vjeçari është i dënuar disa herë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje dhe vepra të tjera penale. Meshkujt e fisit Bajri nga Dobraçi i Shkodrës akuzohen edhe për rrëmbim e përdhunim të dy minorenëve. Nga ana e policisë është bërë dokumentimi ligjor i kësaj vepre, ndërsa Ilir Bajri dhe Behar Bajri u shpallën në kërkim për veprën penale të rrëmbimit dhe përdhunimit të të miturave. Ndërkohë, Bajri mund të akuzohet edhe për shtytje në vetëvrasje, pasi bashkëshortja e tij, Fabjola 15-vjeçare, është vetëqëlluar me një pistoletë TT, të cilën e mbante Behari. Mësohet se prej një viti e gjysmë vajza ishte rrëmbyer nga i shoqi. Një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Itali. Interpol Roma konfirmon se më datë 14 dhjetor 2007 është arrestuar në Milano Arjan Kane, 37 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ndaj Kanes Gjykata e Krimeve të Rënda, me vendim të datës 27 dhjetor 2005, ka vendosur masën e sigurisë "arrest nëburg", pasi akuzohet se në nëntor të vitit 2001 ka trafikuar e shfrytëzuar për qëllime prostitucioni një shtetase. Në vitin 2001 ai është fejuar me shtetasen H.XH dhe në nëntor të po këtij viti kanë shkuar jashtë vendit,fillimisht në Greqi dhe më pas në Itali, ku gjatë qëndrimit në Milano, shtetasi Arjan Kane e ka shfrytëzuar si prostitutë.