E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta kërkon proporcional të pastër

Ilir Meta befasoi dje drejtuesit e partisë së tij teksa deklaroi mbështetjen e plotë për sistemin e pastër proporcional. Ndryshe nga sa kjo parti është angazhuar në kuadër të grupimit të të "vegjëlve", Meta ka kërkuar tjetër sistem. Preferencë që nuk është e njëjtë as përballë asaj çka dëshiron Partia Socialiste.

Sistemi

Meta theksoi se LSI-ja është e angazhuar të pranojë dhe të promovojë sistemin e proporcionalit të pastër, pasi vetëm përmes këtij sistemi mund të garantohet barazia gjinore në Kuvendin e Shqipërisë. "Në rast se do të arrijmë të vendosim një sistem të pastër proporcional, ne do të garantojmë një përfaqësim të barabartë gjinor, 50 me 50 për qind", vlerësoi Meta. Sipas kreut të LSI-së, vetëm një balancim gjinor në Kuvend, mund të imponojë një pjesëmarrje sa më të madhe të grave në të gjitha organet vendimmarrëse politike, qeverisëse dhe shtetërore në përgjithësi. "Ne si LSI, tha Meta, e kemi vullnetin për një përfaqësim sa më të gjerë të gruas dhe këtë e kemi bindje dhe jo demagogji. Kjo u provua edhe në zgjedhjet e fundit vendore, ku LSI-ja aplikoi formula të posaçme për të favorizuar pjesëmarrjen sa më të madhe të grave në këshillat e bashkive apo komunave në të gjithë vendin", nënvizoi Meta.

Të vegjlit

Drafti i partive të vogla ku është bërë pjesë edhe LSI-ja parashikon që Kuvendi të ketë 140 vende, por të jetë me tavan të hapur. Kërkohet një balancë 50/50% e "mandateve mazhoritare" dhe "mandateve proporcionale". Parashikohet që konkurrimi në zonat një emërore mazhoritare të bëhet midis kandidatëve me votim mazhoritar me një raund. Ndërsa konkurrimi proporcional bëhet mbi bazë listash të kandidatëve të partive politike në nivel kombëtar. Zgjedhësit kanë vetëm një votë dhe vota mazhoritare për kandidaten është e unifikuar me votën proporcionale për partinë që përfaqëson ky kandidat. Sa i takon pragut elektoral të vegjëlit mbështetur te modeli gjerman mendojnë se ai nuk duhet të lëvizë përtej 2.5%. Përllogaritja e mandateve bëhet në nivel kombëtar për partitë që kalojnë pragun elektoral prej 2.5%, ku secilës prej tyre i caktohet një numër mandatesh në mënyrë që të ketë një përputhje të plotë të përqindjes së mandateve në Kuvend me përqindjen e korrektuar të votave në shkallë vendi për çdo parti.

Rikthimi

Në muajin maj të këtij viti LSI-ja shprehej për proporcional të pastër, duke lënë mundësinë e hapur për rajonal apo kombëtar. Një tjetër element ishte kufizimi i përbërjes së Kuvendit me 120 zona zgjedhore. Vendosja e sistemit proporcional do ta bënte të panevojshëm korrigjimin e rezultatit, e për pasojë subjektet konkurrues nuk do të përfitonin nga shpërndarja e 40 mandateve të tjera shtesë. Sakaq u kërkua në atë kohë edhe rritja e pragut kushtetues për hyrjen e partive në Kuvend. Ndërkohë që shifrat aktuale janë 2.5%, LSI-ja këmbënduli tek rritja në masën 4% të pragut. Gjithashtu u kërkua reforma territorialo-administrative, përgatitja e regjistrit të zgjedhjeve dhe zgjidhja e çështjes së dokumenteve të identifikimit për votim. Partia e Metës qe shprehur edhe për zgjidhjen e problemit të përgatitjes, mbikëqyrjes, drejtimit të procesit zgjedhor dhe përfaqësimit në komisionet zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›