Arrestohet në Elbasan një qytetar që dëmtoi 15 rrënjë ullinjsh
ELBASAN - Policia e Elbasanit arrestoi në flagrancë një 21-vjeçar, i cili kishte dëmtuar rreth 15 drurë ulliri. Burime të Komisariatit të Policisë së Elbasanit thanë se 21-vjeçari Fatos Llaha u arrestua dje pasi në bashkëpunim me një keqbërës tjetër, ende të paidentifikuar, dëmtoi drurët e ullirit në vendin e quajtur “Ullishta e Madhe”. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në fshatin Hajdaran, në juglindje të Elbasanit, ku është dëmtuar prona e 67-vjeçarit me iniciale A.R. I arrestuari ndodhet në dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së Elbasanit, duke pritur hetimin për kryerjen e veprës penale “shkatërrim i pronës private".
Zjarr në mjediset e komunës, dëmtohet rrjeti kompjuterik
SHKODËR – Një zjarr i shkaktuar nga shkëndija elektrike ka përfshirë në flakë mjediset e komunës së Gurit të Zi në rrethin e Shkodrës, por ndërhyrja e shpejtë e ekipit të Repartit Zjarrfikës ka bërë të mundur që të shpëtojë ndërtesën. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja është regjistruar paraditen e së mërkurës. Kryetari komunës, Broz Marku, i tha se zjarri ishte shkaktuar nga një defekt në lidhjet e pajisjeve të invertit me aparaturat kompjuterike të këtyre zyrave. "Nëse nuk do kishin ardhur në kohë zjarrfikëset nga qyteti i Shkodrës, dëmet do të kishin qenë të mëdha, sepse në atë mjedis ndodhej jo vetëm dokumentacioni i administratës së komunës, por edhe ai i sektorit të Gjendjes civile, ku është arkivuar materiali më i rëndësishëm i komunës", - tha Marku. Ai pohon se janë dëmtuar vetëm pajisjet e invertit dhe të sistemit elektrik të institucionit", - theksoi Marku.
Gjykata nxjerr nga qelia dy autorët e përplasjes me armë në qytet
LEZHË – Vetëm pak ditë e kanë provuar qelinë dy autorët e arrestuar pak ditë më parë pasi u përplasën me armë në mes të qytetit të Lezhës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se shtetasit Sajmir Ndoja dhe Aleks Deda janë para qitur para trupit gjykues për vlerësimin e masës së sigurisë. Në përfundim të seancës, gjyqtari Parashqevi Ademi nuk ka pranuar kërkesën e akuzës për të dhënë masën “arrest me burg” për dy personat e ndaluar, të cilët kanë qëlluar me armë ndaj njëri-tjetrit në mjediset publike. Bëhet e ditur se Ademi ka deklaruar në sallën e gjyqit se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbajtur në qeli Ndojën dhe Dedën. Ndërsa akuza ka këmbëngulur se çështjen do e apelojë. Drejtuesit e Policisë së Qarkut kanë reaguar në lidhje me këtë vendim. Ata kanë deklaruar se do të vihet në dijeni Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme për lirimin e dy autorëve të shkëmbimit të zjarrit në mes të qytetit mbrëmjen e së dielës.
25 Shtator 2008