Qeveria forcon dënimet për korrupsionin
Eljona Ballhysa
Për një aferë korruptive do të dënohet jo vetëm kërkuesi i parave, por dhe ofruesi apo ndërmjetësi. Ky është propozimi më i fundit i miratuar dje nga Këshilli i Ministrave për disa ndryshime në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë. Ndryshimet që parashikon projektligji i ri, i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, sjellin përforcime të dënimeve ndaj aferave korruptive. Kjo nismë është në vazhdën e luftës kundër korrupsionit që ka ndërmarrë qeveria shqiptare. Drafti gjithashtu parashikon mosnjohjen nga shteti të kontratave korruptive. Kjo do të thotë që nëse vërtetohet se një kontratë shitblerjeje është kryer nëpërmjet një afere korruptive, ajo quhet e pavlefshme.
Ndryshimet
Projektligji i propozuar nga Këshilli i Ministrave është një kapitull shtesë i Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë. Neni 639/1 i draftit parashikon që “personi, që nëpërmjet kërkimit, ofrimit, dhënies a pranimit, të drejtpërdrejtë ose në mënyrë të tërthortë, të një mitmarrjeje ose çdo lloji tjetër avantazhi a përfitimi, që deformon kryerjen e çdo detyre ose sjelljeje, të kërkuar nga pranuesi i mitmarrjes, për pasojë edhe avantazhin e padrejtë, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar”. Ky nen nënkupton dënimin jo vetëm të personit që kërkon ryshfet, por dhe e person që ndërmjetëson apo ofron ryshfet duke tjetërsuar një aferë. Ky nen, në pikën dy, parashikon që “kompensimi i dëmit mund të mbulojë dëmtimin material, humbjen e përfitimeve dhe humbjet jomonetare”.
Kompensimi
Pika dy e nenit 639 parashikon rastet e kompensimit të dëmit të shkaktuar nga veprimet korruptive. Sipas këtij neni, dëmi kompensohet kur “i padituri ka kryer apo ka autorizuar aktin e korruptimit, ose ka dështuar në ndërmarrjen e hapave të duhur për ta parandaluar aktin e korruptimit”. Po kështu, dëmi kompensohet kur paditësi ka pësuar dëmtimin dhe kur ka një lidhje shkakësore ndërmjet aktit të korruptimit dhe dëmit. Ndërsa në pikën tre të nenit në fjalë parashikohet që “kompensimi për shpërblimin e dëmit nga veprimet korruptive të pakësohet ose të hiqet në rrethanat, kur, personi i dëmtuar, me faj ka ndihmuar në shkaktimin e tij”. Më tej drafti parashikon dhe afatet kohore brenda së cilës i dëmtuari ka të drejtë të kërkojë kompensim ndaj dëmit që i është shkaktuar nga një veprim korruptim. Kështu, në pikën katër të nenit 639 qartësohet se personi i dëmtuar ka tre vjet afat për të kërkuar dëmshpërblim ndaj dëmit që i është shkaktuar. “Për kërkimin e shpërblimit të dëmit, afati për parashkrimin e padisë është tre vjet, duke filluar nga data, që personi ka pësuar dëmtimin ose bëhet i ndërgjegjshëm për dëmin e pësuar dhe për personin, që e ka shkaktuar. Personi i dëmtuar nuk mund të ngrejë padi për shpërblimin e dëmit pas kalimit 10 vjet nga data e kryerjes së veprimit korruptiv”, parashikohet në projektligj. Pika e fundit e draftit të miratuar dje nga qeveria parashikon pikërisht zhvlerësimin e kontratave të nënshkruara në bazë të një afere korruptive. Neni 639, pika 5, parashikon që “çdo kontratë që ka për objekt veprime korruptive, ose kontratat që janë të lidhura me to, në çfarëdolloj titulli, janë të pavlefshme”. Këto ndryshime pritet të diskutohen së shpejti në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku dhe do të marrin miratimin e ligjvënësve.
25 Shtator 2008