Thyen xhamat e lokalit, ndalohet klienti i dehur
DURRËS – Një klient, pasi ka pirë në lokal, në gjendje të dehur ka thyer shkatërruar xhamat dhe orenditë, por më pas është ndaluar. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë është shoqëruar në komisariat dhe ka nisur hetimi në gjendje të lirë ndaj shtetasit Bujar Shehu, lindur dhe banues në fshatin Gjyricaj, të komunës së Ishmit në rrethin e Durrësit. Sipas tyre, 41-vjeçari, mbrëmjen e tri ditëve më parë, rreth orës 20.30, ka thyer xhamat e lokalit pronë e shtetasit B. L., banues në Gjyricaj si dhe ka fyer këtë të fundit. Pas denoncimit, u bë shoqërimi i Shehut dhe nisja e hetimeve.
Zbulohen 41 kg hashash në banesë, prangoset 44-vjeçari
VLORË - Sektori Antidrogë i Policisë së Vlorës zbuloi sot 41 kg hashash në një banesë në fshatin Romës. Sipas burimeve zyrtare të uniformave blu, është ndaluar shtetasi Reshat Dedaj, në shtëpinë e të cilit, pas një kontrolli, u zbulua një sasi e madhe lëndësh narkotike. Kontrolli në banesën e Dedajt mësohet të jetë bërë pas informacioneve të marra në rrugë operative nga policia, duke qenë se tashmë kontrollet nëpër fshatra janë pezulluar pasi nuk është periudha e rritjes së bimës narkotike. Burimet u shprehën se hashashi ishte i ndarë në dy pjesë, një sasi ndodhej brenda shtëpisë së Dedajt dhe një sasi tjetër ndodhej jashtë. Tashmë, 44-vjeçari është ndaluar dhe shoqëruar për në komisariatin e policisë së Vlorës ndërsa është ngritur ndaj tij akuza e “mbajtjes dhe kultivimit të bimëve narkotike”.
Sërish aksident në punë, plagoset 26-vjeçari
TROPOJË - Një 26-vjeçar i plagosur rëndë gjatë një aksidenti në punë, ku kazani i një vinçi e ka qëlluar rëndë në kokë. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi në fshatin Dojan, të rrethit të Tropojës. I lënduar është shtetasi Albert Çela, i cili pasi mori ndihmën e parë në spitalin e Bajram Currit, u dërgua për mjekim më të specializuar në spitalin e Gjakovës, nga ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.
Siç bëjnë të ditur burime zyrtare të Policisë lokale të rrethit, Albert Çela u plagos rëndë gjatë punës teksa shoqëronte transportin e kazanit të madh të një vinçi që drejtohej nga 43-vjeçari Avni Hasanpapaj. Sipas policisë, aksidenti ndodhi kur kazani u shkëput, duke shkaktuar plagosjen e rëndë të Çelës. Ndaj vinçierit Hasanpapaj ka nisur çështja penale, me akuzën e "plagosjes së rëndë nga pakujdesia". Gjatë këtij viti janë regjistruar me dhjetëra aksidente në punë me pasojë vdekjen dhe plagosjen e shumë punonjësve për shkak të mungesës së kushteve dhe mos-zbatimin e rregullave të sigurimit teknik.
25 Shtator 2008