E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva e doganierëve grekë kushton 5.6 milionë euro



KAKAVIJË/KAPSHTICË – Greva e doganierëve grekë i kushton ekonomisë së vendit fqinj, por edhe tregtarëve shqiptarë 1.4 milionë euro çdo ditë. Kjo e dhënë jepet duke iu referuar statistikave të vitit të kaluar, kur agjenci të specializuara raportojnë për importin vjetor të 2007-s në shumën 512 milionë euro. Përgjatë dy ditëve të protestës së punonjësve të sistemit doganor në Greqi shuma është 2.8 milionë. Ndërsa për katër ditë 5.6 milionë euro. Vazhdimi i mëtejshëm i protestës ka sjellë që të mbeten në pikat kufitare me Shqipërinë me qindra mjete të tonazheve të ndryshme, të cilat presin për të futur mallin në Shqipëri. Burimet zyrtare raportojnë për një radhë të gjatë 1.5 kilometra në territorin grek.
Shtyrja
Shtyhet greva e doganierëve grekë. Punonjësit e pikave kufitare deklaruan mëngjesin e djeshëm se do ta vazhdojnë edhe 48 orë të tjera grevën e tyre, duke u shprehur se nuk janë dakord me heshtjen e qeverisë greke lidhur me kërkesat e tyre. Doganierët grekë e cilësojnë të papranueshëm faktin që qeveria nuk po reagon ndaj grevës së tyre. Në pikën kufitare të Kakavijës deri dje në mëngjes nuk ka pasur radhë për shkak të njoftimeve, por që në orët e para janë parë me dhjetëra mjete në territorin e vendit fqinjë, në pritje për të hyrë në Shqipëri. Kjo për faktin se njerëzit ishin njoftuar se greva do të zgjaste vetëm dy ditë, ndërsa mosplotësimi i kërkesave të doganierëve nga ana e qeverisë greke çoi në shtyrjen e këtij afati. Në dogana lejohet të kalojnë vetëm trupat diplomatike, urgjencat dhe ngarkesat me gjë të gjallë.
Në Kapshticë kanë nisur problemet e para. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se deri në pasditen e së mërkurës rreth 80 maune kanë qenë në pritje për të hyrë në tokën shqiptare. Pritja i detyrohet faktit që drejtuesit nuk kishin dijeni për vazhdimin e grevës së doganierëve dhe ashtu siç ishin lajmëruar prisnin që pikat kufitare të fillonin funksionimin e tyre mëngjesin e së mërkurës. Burimet nga pikat doganore bëjnë të ditur se kalimi për këmbësorë ka vazhduar normalisht. Vetëm në 24 orët e fundit kanë lëvizur rreth 2100 shtetas.
Pasojat
Sipas ekspertëve të ekonomisë, greva e doganierëve grekë, që vijon prej disa ditësh, do të ndikojë negativisht në shkëmbimet tregtare mes të dyja vendeve. Sipas drejtorit të Qendrës Shqiptare për Tregtinë Ndërkombëtare, Selim Belortaja, efektet do të jenë të ndjeshme për faktin se Greqia është partneri i dytë kryesor tregtar i vendit tonë, me të cilin kryhet një fluks i konsiderueshëm importesh dhe eksportesh. Greva e doganierëve grekë nisi kohë më parë, pasi ata i kërkuan qeverisë të ndryshonte kushtet ekonomike. E megjithatë, deri më dje qeveria greke nuk ka pasur asnjë reagim, megjithëse greva e doganierëve i ka sjellë shtetit humbje të mëdha. Sipas të dhënave të Qendrës Shqiptare për Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT) gjatë vitit të kaluar importet arritën në 512 milionë dollarë.

25 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›