E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacionet për makinat e trafikuara, bllokime në Laç dhe në Tiranë



Edhe gjatë ditës së djeshme kanë vijuar aksionet për bllokimin e mjeteve të trafikuara, ku në qendër kontrolleve kanë qenë zonat e kryeqytetit, qarku i Lezhës dhe Durrësi. Drejtoria e Policisë së Lezhës, në bashkëpunim me policinë e Kurbinit dhe sektorin kundër krimit të organizuar ka bërë të mundur bllokimin e 21 mjeteve të ndryshme luksoze, të cilat janë prodhime të viteve të fundit. Mjetet janë bllokuar për mungesë dokumentacioni, ndërkohë që pritet verifikime nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Interpol Tiranës. Mjetet janë bllokuar teksa lëviznin nëpër qytetin e Laçit si dhe në superstradën Fushë Krujë - Lezhë. Operacioni i koduar me emrin "Rexhina" vazhdon prej një jave dhe deri ditën e mërkurë janë bllokuar 45 automjete, ku shumica e tyre kanë rezultuar të vjedhura. Edhe policia e kryeqytetit ka ndaluar dy mjete. Sipas tyre, automjeti tip “Land Rover Diskoveri”, me targë MAY 5033 u bllokua te kryqëzimi i Farmacisë Nr. 10 dhe në momentin e bllokimit drejtohej nga shtetasi Myftar Ferati, 43 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë.
Nga verifikimit e kryera, automjete me të dhënat e mësipërme rezulton se është vjedhur në Gjermani. Po ashtu, u kryen veprimet hetimore e procedurale, për automjetin tip “Volkswagen Golf”, me targë CG 310 BG gjatë një kontrolli në zonën e Kombinatit. Nga verifikimet e kryera rezulton se ky automjet është vjedhur jashtë shtetit. Dy ditë më parë u ndaluan në Qarkun e Durrësit 15 mjete luksoze të cilat dyshohet se janë trafikuar nga vendet e BE-së dhe më pas iu është ndryshuar ngjyra dhe numri i shasive nëpër pikat e serviseve në Shijak, Shkallnur, Xhafzotaj, Sukth, etj.

25 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›