E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet polici i rremë, vidhte tregtarët e Lushnjës

Prezantohej si punonjës policie, duke hyrë për kontrolle në banesa dhe dyqane të ndryshme dhe kryente vjedhje. Por, një aventurë e tillë nuk ka vazhduar gjatë, pasi ai është pikasur dhe prangosur nga efektivët e policisë së Lushnjës, nën akuzën e vjedhjes dhe të përvetësimit të titullit ose detyrës shtetërore. Klevis Çuko, 23 vjeç, banor i fshatit Fieri i Ri, të Komunës Krutje në rrethin e Lushnjës, është arrestuar pasditen e së dielës. Nga burimet zyrtare të policisë mësohet se Klevis Çuko akuzohet se në datën 7 shkurt, me dy persona të tjerë, Miri Dhano dhe Roland Cuko, i kanë vjedhur shtetasve Fatjon, Liridjon dhe Bledar Krasniqi, 3 celularë dhe 15 mijë lekë. Çuko, bashkë me dy bashkëpunëtorët në krim, janë prezantuar si punonjës të policisë dhe kanë ushtruar kontroll personal mbi qytetarët. Ata i kanë sekuestruar sendet dhe lekët e sipërpërmendura, duke e justifikuar këtë veprim për efekt hetimi. Të rinjtë, të detyruar nga funksioni i punonjësit të policisë, ashtu si 23-vjeçari Çuko ishte prezantuar, i kanë lënë telefonat në dorë të tij. Gjatë ditëve në vazhdim, ata i janë drejtuar Komisariatit të Lushnjës, ku kanë kërkuar se deri kur do të qëndrojnë të bllokuar telefonat e tyre. Pas këtyre ankesave, të dëmtuarit kanë zbuluar se personi që ata e dinin polic, nuk ishte i tillë. Kaq ka mjaftuar për policinë dhe prokurorinë, të nisnin hetimet për këtë person. Menjëherë, prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi, duke e shpallur në kërkim 23-vjeçarin Klevis Çuko, i cili u prangos pasditen e djeshme në fshatin Fieri i Ri, pas një operacioni të ndërmarrë në bazë të disa informacioneve të marra në rrugë operative. Tashmë, policit të rremë do t‘i duhet të përballet me togat e zeza për veprën penale të "vjedhjes" dhe "përvetësimit të titullit ose detyrës shtetërore". Burimet zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur për gazetën "Shqip", se ndaj policit të rremë po hetohet edhe për raste të tjera vjedhjeje, që ai i ka kryer, duke u mbrojtur tek uniforma e rremë dhe statusi që mbante. Mësohet se 8 raste të tilla rezultojnë të jenë regjistruar në polici për veprime të ngjashme vjedhjeje, ndërkohë që pritet përballja e palëve që të hetohen këto raste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›