E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma, Rama shkrin dy drejtori,por krijon 11 sektorë

Ina Rama ka realizuar strukturën e re të Prokurorisë së Përgjithshme, ku në ndryshim nga paraardhësi i saj, Theodhori Sollaku, ka shkrirë dy drejtori, ndërsa ka urdhëruar ngritjen e 11 sektorëve. Një ndër prioritet e qeverisë "Berisha" për integrimin është pasqyruar në organikën e re të akuzës qendrore, nga ku është krijuar sektori i kërkimeve ligjore dhe i integrimit. Fryma e re e bashkëpunimit midis mazhorancës dhe akuzës është pasqyruar në olilogramën që ka firmosur Kryeprokurorja Ina Rama. Kjo e fundit do të kontrollojë edhe sektorin e përgjimeve, aparaturë që është instaluar kohët e fundit në akuzën qendrore. Tashmë, të gjitha lejet për përgjim duhet të kalojnë nga numri një i akuzës.

Riorganizimi i akuzës

Riorganizimi i zyrës së prokurorit të Përgjithshëm ka filluar me shkrirjen e dy drejtorive. Pas largimit të 14 prokurorëve, në organin qendror të akuzës do të ketë 5 drejtori dhe 17 prokurorë gjithsej. Sipas burimeve zyrtare të këtij institucioni, me riorganizimin e zyrës së prokurorit të Përgjithshëm, Kryeprokurorja Ina Rama, në bazë të ligjit "Për funksionimin dhe organizimin e prokurorisë", ka shkrirë Drejtorinë e Hetimit dhe Krimit të Organizuar, duke e bashkuar atë në një drejtori që mban emrin Drejtoria e Hetimit dhe Ndjekjes Penale, që do ketë vetëm 7 prokurorë nga 15 që kishte më parë. Do të jetë në funksion Drejtoria e Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore, që do ketë vetëm 4 prokurorë nga 5 që kishte, Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, që deri më datë 28 janar kishte si drejtor Ardian Vishën, nuk do të ketë më një të tillë. Vendi i prokurorit është shkrirë në specialistë dhe juristë që do punojnë pranë kësaj zyre. Edhe Drejtoria e Studimeve Gjyqësore nuk do të ketë prokuror. Sektori i Përgjimeve do të ketë një prokuror më pak. Ulja në detyrë e 14 prokurorëve ka hapur mjaft debate, pasi Kryeprokurorja Rama largoi bashkëpunëtorët e paraardhësit të saj, Theodhori Sollaku.

Reforma "Ina Rama"

Pas rreth 80 ditëve në krye të organit qendror të akuzës, Ina Rama ka filluar lëvizjet e para. Ajo i ka argumentuar ndryshimet pasi, sipas saj, 80 për qind e prokurorëve e donin riorganizimin, duke saktësuar se "nuk jam ndikuar nga politika për reformën". Ajo nuk është bindur nga eksperienca e gjatë dhe çështjet me rëndësi që kanë pasur 14 prokurorët në zyrën e akuzës për t‘i mbajtur në stafin e saj të ngushtë. Madje, i ka transferuar në qytete të largëta, duke filluar nga Shkodra dhe përfunduar në Gjirokastër. Janë me dhjetëra dosje të rëndësishme që kanë hetuar të degdisurit nga vrasja e Azem Hajdarit e deri te rruga Durrës-Kukës. Reforma ka vazhduar në rrethet kryesore të Shqipërisë, përkatësisht në Durrës, Shkodër, Fier, Vlorë dhe Elbasan, ku janë ndryshuar drejtuesit e prokurorisë. Lëvizje rrënjësore kanë pësuar edhe drejtuesit e Tiranës, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda ka "prodhuar" në tri raste drejtues, pasi prokurorët e kësaj strukture janë emëruar drejtues në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë. Megjithatë, me të gjitha këto ndryshime në faqen e internetit të akuzës qendrore (www.pp.gov.al), ish-drejtuesit e akuzës në Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan dhe Shkodër janë në "detyrë". Emrat e Vexhi Muçmatës, Nasip Naços, Petrit Çanos etj., vazhdojnë të kryesojnë trupën e prokurorëve në këto qytete, megjithëse janë emëruar drejtuesit e rinj.

Gjithsesi, burimet nga akuza qendrore thanë se reforma do të vazhdojë, ku pritet të dekretohen nga Presidenti të tjera ndryshime. Në një konferencë Rama tha se "reformimi i Prokurorisë së Përgjithshme ishte i pashmangshëm". Ulja e kostove është përmendur si argument pro reformës nga Kryeprokurorja, e cila deklaroi se rroga e një prokurori të përgjithshëm është e barabartë me vlerën e pagës që ka një ministër apo anëtar i Gjykatës së Lartë. Kryeprokurorja Rama shpjegoi se në strukturën e re është vendosur bashkimi i drejtorive përkatëse, të cilat kanë pasur funksione të përafërta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›