Bariu ngacmon seksualisht dy të mitura
Asnjëherë nuk e kishin menduar se bariu i fshatit mund të sillte shqetësime për familjet e tyre. Për më tepër, se ai mund të ngacmonte seksualisht vajzat e tyre. Por, një veprim të tillë e kanë vërtetuar dy ditë më parë, kur vajzat e vogla janë vonuar për t‘u kthyer në shtëpi dhe familjet e tyre janë merakosur. Prindërit e njërës prej vajzave kanë dalë për t‘i kërkuar dhe i kanë gjetur gjysmë të zhveshura me bariun e fshatit, i cili ishte duke i prekur në vende intime. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një fshat të Kavajës, ndërkohë që policia lokale ka arrestuar të dyshuarin Idriz Hoxha. Sipas të dhënave hetimore, policia është vënë në dijeni pasditen e së dielës për këtë ngjarje të rëndë. Uniformat blu janë njoftuar se ky rast i rëndë kishte ndodhur në fshatin Okshtun të Komunës Lekaj. Me t‘u njoftuar, në vendin e ngjarjes ka shkuar një grup hetimor, i cili ka nisur punën për zbardhjen e kësaj çështjeje. Sipas të dhënave nga policia, dy familje kanë kontaktuar me grupin hetimor. Të dyja familjet kanë denoncuar se bariu u kishte ngacmuar vajzat e vogla, të cilat ishin përkatësisht 12 dhe 8 vjeçe. Policia tha se familjet e dy të dëmtuarave kanë treguar se vajzat e tyre dilnin në një fushë për të kullotur delet, meqë ndodheshin edhe në fshat. Gjatë kohës së kullotjes, ato rrinin me bariun e fshatit Idriz Hoxha, i cili është 58 vjeç. Por, ditën e diel, vajzat e vogla ishin vonuar për t‘u kthyer në shtëpi dhe nëna e njërës prej tyre ishte nisur për t‘i thirrur që të kthehen. Kur ajo është afruar pranë vendit që ndodheshin vajzat e mitura, ka vënë re se vajza e saj ishte gjysmë e zhveshur, bashkë me një vajzë tjetër, ndërkohë që bariu po kryente vepra të turpshme me to. Ajo ka marrë me nxitim dy vajzat dhe është larguar nga aty, duke njoftuar policinë. Policia, e mbërritur në vendin e ngjarjes, fillimisht ka marrë në pyetje prindërit e vajzave, të cilët kanë pretenduar se bariu kishte kryer edhe herë të tjera veprime të turpshme me vajzat e tyre. Më pas, grupi hetimor, në prezencë të një psikologeje, ka pyetur vajzat e mitura për këtë ngjarje. Ato kanë rrëfyer me detaje çfarë kishte ndodhur. Madje, një prej vajzave, ajo më e vogla, e cila është vetëm tetë vjeçe, ka treguar se kjo nuk ishte hera e parë që bariu e detyronte të zhvishej dhe e prekte me duar. Kjo e ka rënduar pozicionin e 58-vjeçarit të dyshuar, i cili është arrestuar nga shërbimet e policisë së Kavajës. Burimet nga kjo e fundit bënë të ditur se Idriz Hoxha është izoluar në Komisariatin e Kavajës, ku është marrë në pyetje nga oficeri i policisë gjyqësore. Ai ka deklaruar se nuk kishte kryer asnjë veprim të turpshëm me vajzat e mitura, duke pretenduar se i kishte dashur si vajzat e tij. Megjithatë, kjo nuk e ka shpëtuar nga prangat e policisë, që në bashkëpunim me prokurorinë, e ka akuzuar për veprime të turpshme me të mitura. Veç këtyre fakteve, grupi hetimor tha se 58-vjeçari i arrestuar njihet edhe si person me probleme mendore.
Precedent
Tiranë, ish-polici
dhunoi dy të mitura
Një 47-vjeçar u arrestua dy ditë më parë teksa po kryente marrëdhënie seksuale me dy të mitura. Haxhi Qelemini, ish-punonjës i Policisë së Korçës, është arrestuar në Tiranë. "Arrestimi i tij u bë dy ditë më parë, pasi dyshohet se në rrugën ‘Besa‘ ka kryer marrëdhënie seksuale me shtetaset A.J., 13 vjeçe, si dhe me shtetasen J.O., 17 vjeçe, përkatësisht lindur e banuese në Korçë. Nga hetimet paraprake të nisura menjëherë pas kapjes së këtij shtetasi, rezulton se i lartpërmenduri, shtetasen J.O. e ka shfrytëzuar më parë për prostitucion", thanë burimet nga policia. Sipas saj, ai u kap në fazën e rekrutimit të të miturave, me qëllim trafikimin e tyre në vendet e Bashkimit Evropian. U kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda.