E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodra, nga kantier ndërtimi, në qytet evropian

Pas 17 vitesh që nga koha kur është përmbysur regjimi komunist në Shqipëri, në Shkodër për herë të parë kanë nisur investime bashkëkohore dhe ambicioze. Qyteti i Shkodrës njihet si bastion i demokratëve, pasi PD nuk ka njohur asnjëherë humbje dhe duket se qeveria demokratike po shpërblen shkodranët, megjithëse me vonesë. Për Shkodrën qeveria ka hapur "thesin", ku nga bashkia kërkohen vetëm projekte, të cilat do të financohen menjëherë nga qeveria. Në një intervistë për "Shqip", kryebashkiaku i Shkodrës, Lorenc Luka, ka shpjeguar me detaje ndërhyrjet që po bëhen në Shkodër për të ndryshuar tërësisht pamjen e qytetit verior. Nga ana tjetër, kryebashkiaku shpjegon se si me ndihmën e qeverisë po hartohen politika për t‘ia rikthyer vlerat dhe traditën e dikurshme Shkodrës.

Çfarë është duke bërë bashkia për qytetin e Shkodrës?

Kur kam filluar mandatin si kryetar bashkie në prillin e vitin të kaluar, kam konstatuar se gjendja e përgjithshme e qytetit të Shkodrës nuk ishte në ato nivele që kërkon një qytet si Shkodra. Kjo ka ndodhur për një sërë faktorësh, objektivë dhe subjektivë, por sot, pas 10 muajsh punë, konstatojmë me kënaqësi se ekziston një situatë optimiste në të gjithë sektorët e jetës së një qyteti, ekonomikë, socialë dhe kulturorë. Qyteti i Shkodrës tashmë është kthyer në një kantier ndërtimi, duke filluar me investimet e ardhura nga buxheti i shtetit, donatorët e ndryshëm, si dhe investitorët privatë, qofshin këta vendas apo dhe të huaj.

Këto investime, përveçse po përmirësojnë dukshëm imazhin e qytetit, po përmirësojnë dukshëm edhe rritjen e treguesve ekonomikë dhe në shërbime sociale. Them se me këto investime që po bëhen në Shkodër është duke u krijuar një klimë e mirë në përmirësimin e situatës, duke i dhënë një të ardhme optimiste komunitetit të Shkodrës.

Sa ka ndikuar mbështetja e qeverisë me fonde?

Të gjithë ne jemi koshientë se përkrahja e qeverisë aktuale është e konsiderueshme, por po ta krahasojmë atë me nevojat që ka qyteti i Shkodrës, ajo është dashur dhe duhet të jetë në një përqindje më të lartë. Kjo, pasi mungesa e investimeve në këtë qytet është e dukshme. Të ndodhur para një fakti të tillë, kam bindjen se edhe në të ardhme mbështetja e qeverisë shqiptare duhet të vazhdojë me ritme edhe më të larta, sepse vetëm kështu mund të zbutet kontrasti i zhvillimit ekonomik i Shkodrës me rajonet e tjera të vendit tonë. Kjo do të bënte krijimin e një standardi të barasvlershëm, i cili do t‘i shërbejë jo vetëm zhvillimit ekonomik të qytetit të Shkodrës, por të gjithë vendit në tërësi.

Duke ditur që Shkodra është një rajon ndërkufitar, cilat janë disa nga projektet e bashkëpunimit me Malin e Zi?

Bashkia e Shkodrës ndër prioritet e punës së saj ka pasur dhe do të ketë bashkëpunimin me vendet fqinje, në rastin konkret me Malin e Zi. Në këtë kuadër janë një sërë projektesh konkrete si:

Bashkëpunimin me projektin e Bankës Botërore, "Menaxhimi i integruar i ekosistemit të liqenit të Shkodrës", me objektiv të përgjithshëm asistimin e qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi për një përdorim dhe menaxhim më të mirë të resurseve të liqenit të Shkodrës dhe basenit të tij ujëmbledhës dhe me komponentët shumë të rëndësishëm mjedisorë, reduktimin e ndotjeve dhe ruajtjen e biodiversitetit të tij. Totali i financimit të parashikuar është rreth 4.5 milionë USD. Bashkëpunimi me GTZ në hartimin e konceptit mbi zhvillimin ndërkufitar të liqenit të Shkodrës dhe studimit hapësinor të bregut perëndimor të tij. Është në përfundim procesi i hartimit të planit urbanistik të zonës Shirokë-Zogaj. Bashkëpunim me REC (Qendra Rajonale e Mjedisit për Evropën Qendrore dhe Juglindore) në kuadër të Programit "Përmirësimi i Marrëdhënieve dhe Bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore", përmes menaxhimit të përbashkët të resurseve natyrore.

Por në të njëjtën kohë është ndërmjetësuar për bashkërendimin e punës së agjencive turistike të dy vendeve që turistët të cilët vizitojnë Malin e Zi të kenë të përfshirë në guidën e tyre edhe një vizitë njëditore në qytetin e Shkodrës.

Projektet e bashkisë për të ardhmen?

Ndër prioritetet kryesore gjatë këtij viti dhe në vazhdim janë:

përfundimi i rikonstruksionit të të gjithë akseve rrugore kryesore, shtimi i sipërfaqeve të gjelbra, hartimi dhe miratimi i planit të përgjithshëm rregullues të qytetit të Shkodrës, fillimi i punimeve për urën e re të Bunës, ndërtimi i impiantit të përpunimit të ujërave të zeza, ndërtimi i plotë i rrjetit nëntokësor të kanalizimeve nga "Kfë" gjermane, fillimi i punimeve i segmentit hyrës të unazës së qytetit të Shkodrës. Ky investim do të realizohet nga "Cooperazione italiana", në kuadër të mirëfunksionimit të aksit rrugor Shkodër-Hani i Hotit. Gjithashtu një vëmendje e veçantë do t‘u kushtohet vlerave kulturore dhe historike të qytetit të Shkodrës. Këtu mund të përmendim kthimin në rrugë këmbësorësh të rrugës historike të qytetit të Shkodrës, "Pjaca"; zhvendosjen e fototekës "Marubi" në ambient më të përshtatshëm, i cili do të jetë më pranë vizitorëve; ngritjen e muzeut etnografik; rikthimin e disa vlerave historike dhe kulturore të zhdukura gjatë diktaturës. Në projektet e bashkisë do të jenë stimulimi dhe aktivizimi i vlerave që mbart artizanati shkodran. Për këtë qëllim, në hyrje të qytetit të Shkodrës është duke përfunduar ndërtimi i tregut të artizanatit, projekt ky që financohet nga GTZ.

Çfarë do të kenë shkodranët më shumë në fund të mandatit tuaj?

Mendoj se në fund të mandatit tim qytetarët shkodranë do të kenë më shumë rrugë të asfaltuara, më shumë trotuare, më shumë lulishte dhe ambiente argëtuese, do të ketë një zhvillim cilësor në fushën ekonomike dhe sociale, një infrastrukturë të standardeve më të larta, duke e quajtur Shkodrën me plot gojë metropol të veriut. Në fund të mandatit, një nga sfidat e mia është që Shkodrës t‘i rikthejmë vlerat dhe fëmijët tanë, duke bërë që Shkodrës t‘i rikthehen të gjithë shkodranët e larguar gjatë këtyre viteve, me qëllim që të kontribuojnë edhe ata për ngritjen e vlerave të këtij qyteti. Investimet e shumta që po bëhen në Shkodër po i kthejnë këtij qyteti vlerat historike, kulturore dhe ekonomike të dikurshme. Përmirësimi i plotë i akseve kryesore të qytetit me të gjithë aksesorët që i duhen një rruge bashkëkohore. Ndërhyrjet për rikonstruksionin e rrugicave karakteristike të qytetit të Shkodrës. Përfundimi një herë e mirë i rrjetit të ujit të pijshëm, duke radhitur Shkodrën ndër qytetet e para për sa i përket furnizimit me ujë. Rikonstruksionet e fasadave në rrugën karakteristike, të cilën populli e njeh me emrin "Pjaca", lyerjen e fasadave në rrugët kryesore të qytetit, rehabilitimin e sipërfaqeve të gjelbra ekzistuese. Ringritja e bandës muzikore të qytetit, e orkestrën simfonike, organizimi i përvitshëm i festës së Karnavaleve, organizimi i Festivalit Ndërkombëtar të Koreve, Festivali i Këngës Popullore Qytetare, Festivali Mbarëkombëtar i Fëmijëve. Këto janë disa prej aktiviteteve me të cilat Shkodra jo vetëm që krenohet, por është unikale në mbarë vendin".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›