E Diel, 1 Nëntor 2026

Mes sherresh vazhdon shembja e ndërtimeve në rrugën Transballkanike

Shumë banorë të rrugës transballkanike, që në orët e para të mëngjesit të djeshëm janë takuar me njëri-tjetrin për të kundërshtuar ndërtimorët dhe për moslejimin për të vepruar në prishjen e banesave të tyre. Dy ditë më parë, disa prej banorëve të kësaj rruge kanë bllokuar për më shumë se 30 minuta këtë aks rrugor dhe nuk kanë lejuar asnjë mjet të kalojë, po dhe mbrëmjen e djeshme janë mbledhur përsëri dhe kanë bllokuar rrugën.

Dje janë njoftuar se do të fillojë prishja e ndërtimeve që janë dy dhe trekatëshe dhe se nuk do të ketë më tolerime, pasi do të fillojë me ritme të shpejta nisja e punimeve që janë lënë në gjysmë për shkak të shpronësimeve. Me forca të shumta policie, si ajo e rendit dhe ajo ndërtimore, dhe me mjete të rënda, ka filluar prishja e një ndërtimi trekatësh në këtë aks rrugor. Pronari i kësaj ndërtese, Vladimir Jaze, është shprehur se "jam me dokumente të rregullta dhe me certifikatë pronësie dhe nga shteti unë kam marrë vetëm me letra kompensim, por nuk kam shpresë se do t‘i marr ndonjëherë këto lekë". Pasi fadroma e policisë ndërtimore e ka hedhur në tokë ndërtimin trekatësh, ka vijuar te një tjetër godinë katërkatëshe, po dhe kjo me të gjitha dokumentet në rregull dhe e kompensuar nga shteti. Pasi ka debatuar me kryetarin e policisë ndërtimore, Pavllo Leka, pronari i ndërtesës është shprehur se lekët për kompensim ende nuk janë hedhur.

Ndërkohë, ndërtimorët janë larguar për të mos u konfrontuar më me banorët dhe u kanë lënë edhe sot afat banorëve që të largojnë pajisjet që kanë në banesa, pasi nesër do të rifillojnë sërish nga prishja. Shpëtim Xhyheri, kryetar i policisë ndërtimore, në një prononcim për mediat tha se "ne do të zbatojmë ligjin dhe nuk do të ngelet asnjë ndërtesë pa u prishur dhe që pengon vazhdimin e punimeve të kësaj rruge strategjike". Ndërkohë që gratë vazhdojnë të jenë në grevë urie dhe shëndeti i tyre është përkeqësuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›