ISSH: 200 ish-minatorë hiqen nga trajtimi me pension
Prej gati një muaji, dega rajonale e ISSH (Instituti i Sigurimeve Shoqërore) në Kukës ka nisur një proces verifikimi për mbi 200 ish-minatorë, të cilët janë trajtuar vitet e fundit me asistencë të veçantë nga shteti. Bëhet fjalë për një kategori minatorësh të minierave të Qarkut të Kukësit, të cilët me një vendim të posaçëm qeveritar përfitonin pension, që nisi të aplikohet para tre-katër vitesh në gjithë vendin. Përfshinte personat që kishin të paktën 13 vjet pune nën tokë dhe që ende nuk kishin mbushur moshën e pensionit. Kjo ndihmë u interpretua në atë kohë si një mbështetje sociale e përkohshme dhe iu dha rreth 500 minatorëve në gjithë vendin, shumica e të cilëve ishin nga Kukësi. Procesi i tanishëm i verifikimit ka ngjallur reagime te masa e përfituesve, të cilët janë shprehur se do protestojnë me mjete demokratike për të drejtën e tyre. Burime të Drejtorisë rajonale në Kukës thanë për gazetën "Shqip" se brenda listës së përfituesve ka tejkalime apo "mashtrime", siç i cilësoi drejtori rajonal i sigurimeve. Dhe mashtrimi në këtë rast ka ndodhur në lëshimin e librezave të punës, kryesisht nga miniera e Kalimashit, por edhe të tjera ku kanë shënuar vite pune të cilat nuk pasqyrohen në borderotë e pagave. Kjo ka qenë arsyeja që ish-minatorët e pensionit të pjesshëm janë pezulluar nga procesi. Ky vendim është marrë si një direktivë nga lart e minimizimit të manipulimeve që kanë ndodhur me pensionet dhe prek kryesisht ish-minatorët e Kukësit që kanë punuar në Kalimash, në Gjegjan, në Vlahën, në Kam të Tropojës etj. Dhjetëra minatorë përpiqen të organizohet në një forum për të ngritur zërin kundër kësaj mase, pasi, siç u shpreh një minator nga Hasi, "krahas abuzuesve po na djegin edhe ne që kemi lënë kockat nën tokë". Sidoqoftë, Drejtoria rajonale e Sigurimeve në Kukës thotë se procesi ka për qëllim rishikimin e procedurave të ndjekura për të përjashtuar personat që kanë abuzuar me vitet e punës.