E Diel, 1 Nëntor 2026

Punonjësit e hekurudhës, së shpejti në grevë

Sindikata e Hekurudhave Shqiptare paralajmëron paralizimin e transportit hekurudhor nëpërmjet fillimit të protestave që do të shkojnë deri në grevë urie. "Punëtorët hekurudhorë janë kthyer në skllevër". Kështu ka deklaruar dje kryetari i sindikatës së punonjësve të hekurudhës, duke deklaruar se me gjithë protestat dhe bisedimet e bëra, në linjat e hekurta shqiptare nuk ka ndryshuar asgjë. Një peticion i është drejtuar kreut të shtetit për të ndërhyrë me autoritetin e tij në zgjidhjen e situatës. Pavarësisht protestave dhe marrëveshjeve të arritura, situata, kushtet e punës dhe paga e tyre është e njëjtë, ndërsa premtimet janë harruar nga qeveria dhe përfaqësuesit e saj. Kryetari i sindikatës, Osman Meta, ka deklaruar se Hekurudha Shqiptare po i nënshtrohet një rrënimi të plotë dhe se ky muaj dhe ai pasardhës do të karakterizohen nga një valë e re protestash, të cilat nuk do të reshtin përpara premtimeve verbale. Përmirësimi i kushteve të punës dhe rritja e pagave të punonjësve vazhdojnë të jenë në qendër të kërkesave të sindikalistëve prej kohësh. Në një kohë që çmimet në treg të mallrave dhe shërbimeve pësojnë rritje, ndryshimi i pagave është kthyer në një domosdoshmëri për të përballuar jetesën për pjesën dërrmuese të atyre që punojnë në hekurudhë. Edhe këtë herë sindikalistët kanë kërkuar të rivlerësohet vështirësia e tyre në punë dhe kjo të pasqyrohet në rritjen e rrogave të tyre në masën 60 për qind. Akuzat për qëndrim pasiv ndaj korrupsionit dhe indiferentizëm ndaj situatës së punonjësve janë drejtuar mbi Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave Shqiptare, me seli në Durrës dhe Ministrinë e Transporteve. Ndërkohë, në këtë drejtori mësohet se një tjetër reformë do të çojë në largimin nga vendet e punës të afro 750 punonjësve nga 2300 që numëron kjo ndërmarrje transporti. Ndërkohë, Meta tha se drejtuesit aktualë të hekurudhave kanë abuzuar edhe me marrëveshjet e arritura. Ndërsa diskutohet për shkurtime, të tjerë persona punësohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›