E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet, tentoi të vrasë dy vëllezër

Një 31-vjeçar nga fshati Peshan i rrethit të Fierit është ndaluar në orët e vona të mbrëmjes së ditës së shtunë, pasi ka tentuar të vrasë me armë zjarri dy vëllezër, bashkëfshatarë të tij. Policia e Fierit tha se rreth orës 23:55 të ditës së djeshme, është ndaluar shtetasi Gleni Hazizaj, 31 vjeç, pasi akuzohet për veprën penale të "vrasjes me paramendim, në bashkëpunim e mbetur në tentativë". Burimet sqarojnë se Hazizaj, së bashku me Armand Cekën, pas një sherri për motive të dobëta, kanë tentuar të vrasin me armë zjarri vëllezërit Arion e Shpëtim Hilaj, përkatësisht të moshës 32 e 33 vjeç. Fillimisht sherrin e ka nisur Ceka, i cili ka kanosur me pistoletë Shpëtim Hilajn. Më pas Hazizaj ka qëlluar disa herë me armë në drejtim të vëllezërve Hilaj, por fatmirësisht pa u shkaktuar plagë të rënda. Policia, pas këqyrjes në vendin e ngjarjes, mundi të sekuestrojë në cilësinë e provës materiale armën e krimit, pistoletë "zastava" me një krehër me tre fishekë dhe 2 gëzhoja, pistoletë model "56", të kalibrit 7,62 mm. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur "Meto Hasimi", përballë karburantit të shtetasit Arian Gjata. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit të Fierit, për veprën penale të "vrasjes me paramendim në bashkëpunim, e mbetur në tentativë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›