U kap me 7 kg heroinë, shkon në gjyq trafikanti
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar në gjykatë dosjen ndaj trafikantit të lëndëve narkotike Shqipëri-Greqi. Bëhet fjalë për drogën e kapur rreth një vit më parë, që tashmë do i mbetet gjykatës për të vendosur se sa do të dënohet poseduesi i saj. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mundur të përfundojë hetimet për këtë dosje brenda këtij viti, pasi ka vlerësuar të gjitha faktet e dosjes. Artur Koleci është kapur në datën 1 janar 2007 në doganën e Kapshticës me 7 kilogramë heroinë, ku po i transportonte me një furgon në vendin fqinj. Droga është konstatuar nga shoferi, i cili ka lajmëruar policinë. Kjo e fundit ka mbërritur në vendngjarje, ku ka marrë deklarimet e pasagjerëve, të cilët kanë deklaruar se një person ka lënë një çantë dhe në momentin e kontrollit nga policia është larguar në drejtim të një kodre aty pranë. Gjithashtu, dëshmitarët kanë sqaruar se menjëherë pas këtij episodi kanë lajmëruar policinë, pasi dyshonin se diçka kishte brenda çantës. Hetuesit e Krimeve të Rënda thanë dje se policia lokale ka marrë gjurmët e gishtërinjve, ku ka rezultuar se i përkasin të pandehurit Artur Koleci, i larguar nga vendi i ngjarjes, pas identifikimit të sasisë së heroinës është, duke i shmangur policisë. Hetimet i ka marrë në dorë Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka marrë gjurmët nga policia e Korçës. Nga ekspertimi në Laboratorin Kriminalistik ka rezultuar se dy gjurmët i përkasin Kolecit, i cilësuar si pronar i 7 kilogramëve heroinë. Prokuroria e Krimeve të Rënda tha dje se "pronari" i sasisë së drogës është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në momentin e konstatimit të drogës është larguar nga vendi i ngjarjes. Burimet e policisë lokale thanë se ai mund të ketë shkuar në Greqi, në përpjekje për t‘i shpëtuar arrestimit. Pas më shumë 12 muajsh hetime, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet. Sipas tyre, ka prova të pakontestueshme që trafikanti është pikërisht Koleci, pasi gjurmët e gishtave, dëshmitarët dhe përgjimet telefonike kanë vërtetuar dyshimet e prokurorisë. Ai akuzohet për "trafik të lëndëve narkotike". Prokuroria tha se lënda narkotike do të shitej në Greqi, ndërsa dyshohej për bashkëpunëtorë të tjerë.