E Diel, 1 Nëntor 2026

Incesti, policia arreston një 21-vjeçar

Një 17-vjeçare ka rënë pre e epsheve seksuale të kushëririt të saj, ndërkohë që uniformat blu kanë bërë arrestimin e agresorit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Tiranë, ku Arian Arixhiu dyshohet se ka përdhunuar kushërirën e tij. Burimet policore bënë të ditur se për këtë krim janë njoftuar paraditen e së shtunës nga e dëmtuara. E dëmtuara ka treguar për policinë se kushëriri i saj, duke marrë shkas nga mungesa e njerëzve në banesë, e kishte përdhunuar. Me t‘u njoftuar në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë, të cilët kanë bërë shoqërimin e të denoncuarit. Sipas burimeve policore, ngjarja ka ndodhur në fshatin Valias dhe sipas të dhënave të mbledhura është regjistruar rreth orës 10:30 të paradites. Megjithatë, vajza e re është treguar shumë konfuze në denoncimin e saj. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, fillimisht ajo ka denoncuar se ishte përdhunuar dhe më pas se ishte tentuar të përdhunohej. Megjithatë, policia duke njohur 21-vjeçarin si kontingjent kriminal, dyshon se ai e ka përdhunuar vajzën dhe më pas e ka kërcënuar. Burimet policore thanë se vajza e re, me iniciale E. C. pretendon se ajo kishte shkuar për vizitë te banesa e kushëririt të saj. "Por, atje ndodhej vetëm Arian Arixhiu dhe asnjë person tjetër. Kështu, duke diskutuar mes tyre, ai kishte tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me të. Në momentin që nuk ia kishte arritur, ai e ka dhunuar vajzën e re, për të rënë pre e epsheve të tij seksuale", detajoi policia sipas denoncimit të vajzës së re. Ndërkohë, në ndryshimin e thënieve, vajza ka treguar se në këto tentativa kishte arritur të largohej dhe të njoftonte policinë. Pas marrjes së këtij denoncimi, policia kreu shoqërimin e 21-vjeçarit, i cili ishte i njohur për uniformat blu. Gjatë marrjes në pyetje, ai nuk e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij, ku kushërira e denonconte për përdhunim. Në këto kushte, ai ka treguar se ishte konfliktuar me të për motive të dobëta dhe në këto kushte e kishte goditur, por jo që e kishte përdhunuar. Megjithatë, fjalët e tij nuk kanë qenë bindëse për grupin hetimor, që ia ka kaluar çështjen sektorit të Krimeve të Rënda, i cili sapo është krijuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Inspektorët e Krimeve të Rënda kanë marrë në dorë këtë dosje dhe kanë kërkuar nga vajza e re që të kryente ekspertizën mjekoligjore, për të dokumentuar edhe disa shenja dhune të pretenduara nga e dëmtuara. Më pas, adoleshentja është dërguar te Mjekësia Ligjore, ku janë kryer veprimet procedurale. Grupi hetimor ka mbledhur të gjithë provat dhe ka vendosur arrestimin e 21-vjeçarit, i cili rezulton edhe me precedentë të mëparshëm penalë. Sipas të dhënave nga policia, ai është dënuar më parë për shfrytëzim prostitucioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›