E Diel, 1 Nëntor 2026

Kakavija pret 500 emigrantë në orë

Një vërshim i jashtëzakonshëm emigrantësh të ardhur nga qytetet të ndryshme të Greqisë ka hyrë në Shqipëri nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kakavijës gjatë 24 orëve të fundit. Sipas të dhënave të rrjetit kompjuterik të bërë prezente nga autoritetet policore të Kakavijës, vetëm gjatë 12 orëve të para të ditës së djeshme, nga pika kufitare e Kakavijës kanë hyrë në Shqipëri për të kaluar festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri rreth 10 mijë emigrantë. Ndërkohë që nga mëngjesi i së shtunës deri në mëngjesin e së dielës, numri i emigrantëve që kanë hyrë nga Kakavija ka qenë 12 mijë, çka tregon se fluksi është gjithnjë në rritje. Por, rritja e ndjeshme e fluksit të lëvizjeve është shoqëruar edhe nga radhët e gjata të automjeteve në brendësi të territorit grek të pikës së kalimit kufitar të Kakavijës. Komandanti i policisë në këtë pikë kalimi, nënispektor Ziadin Allaraj thotë se: "Vërshimi në fundjavë i emigrantëve ishte parashikuar nga të dyja palët, por natyrisht duhet të themi se vërshimi tejkaloi çdolloj parashikimi, duke regjistruar një intensitet të lartë lëvizjeje dhe një numër rekord emigrantësh shqiptarë që janë kthyer në atdhe për festat e fundvitit". Veçanërisht gjatë orëve të natës dhe në orët e para të

mëngjesit të së dielës, sipas tij është shënuar edhe piku i lëvizjes, por falë intensifikimit të masave të marra nga të dy palët lëvizja ka vazhduar e pandërprerë dhe fluksi është përballuar pa problemet e radhëve të gjata që ishin prezente deri në 5 kilometra një ditë më parë.

Për të përballuar fluksin e lëvizjes së jashtëzakonshme nga policia shqiptare janë vënë në funksionim 6 sportele, të cilat kryejnë proceduarat e lëvizjes për hyrjen e shtetasve nga Greqia, ndërkohë që intensitet të lartë lëvizjeje ka pasur edhe për

hyrjen në Greqi nga territori shqiptar dhe për këtë kanë qenë në shërbim 3 sportele të tjera. Vonesat në këto momente, sipas policisë kufitare, janë vërejtur te pala greke, e cila tenton që gjatë daljes së emigrantëve nga territori grek të bëjnë regjistrimin e plotë të të dhënave personale të emigrantëve të pajsur me leje qëndrimi. Në momentet e intensitetit më të lartë të lëvizjes është shtuar edhe më tepër numri i sporteleve hyrëse duke çelur nga pala jonë deri në 13 sportele gjithsej, ndërsa nga pala greke punohet me 6 sportele dhe lëvizja ngadalësohet apo përshpejtohet në varësi të regjistrimit të të dhënave personale në rrjetin kompjuterik grek. Sipas nëninspektorit Ziadin Allaraj, për të krijuar lehtësi në lëvizje të emigrantëve është bërë një riorganizim i punës, duke angazhuar të 30 punonjësit e pikës në turne 12 orësh për t‘i pasur të gatshëm në çdo situatë. Ndërkaq, në ndihmë të trupës policore që shërben në mënyrë të vazhdueshme në Kakavijë, operacioni i policisë për pritjen e emigrantëve është monitoruar nga vetë drejtuesit e lartë të së policisë së qarkut dhe të Drejtorisë së Kufirit, përkatësisht Hysni Burgaj dhe Vasil Valera, të cilët u shprehen se kanë transferuar efektiva shtesë të sektorëve të tjerë, të cilët krahas ruajtjes së rregullit dhe qetësisë janë të angazhuar edhe në identifikimin e personave në kërkim që tentojnë kalimin në të dyja anët e kufirit, duke përfituar nga rrethanat e rritjes së intensitetit të lëvizjes.

Ndihma

Ndërhyn konsulli i Janinës

Në pikën e Kakavijës është stacionuar në këto ditë edhe konsulli shqiptar në Janinë, Esheref Shehu, i cili ndërmjetësoi disa herë me palën greke në momentet e ngadalësimit të lëvizjes. "Masat janë të gjithanshme nga të dy palët, por lëvizja është vërtet e pazakontë. Në këto rrethana do të falënderoja jo vetëm përfaqësuesit grekë dhe shqiptarë të policisë për përkushtimin e tyre në lehtësimin e lëvizjes, por në mënyrë të veçantë ministrin e Shëndetësisë, Nard Noka, që dërgon dy autoambulanca që qëndrojnë vazhdimisht në gatishmëri për të përballuar problemet e lëvizjes së madhe të emigrantëve në Kakavijë", thotë komandanti i pikës kufitare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›