E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie nga kati i gjashtë i një pallati, vdes punëtori

Kushtet teknike janë bërë sërish shkak për vdekjen e punëtorëve. Një 40-vjeçar ka gjetur vdekjen, pasi ka rënë nga kati i gjashtë i një pallati në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në Komunën e Qesarakut, ndërkohë që policia ka bërë shoqërimin e sipërmarrësit të punimeve dhe inxhinierit të firmës. Punëtori 40-vjeçar, Altin Pelinxhiu ka qenë duke kryer punime në një pallat në zonën e Qesarakut. Ai ishte në katin e gjashtë, kur ka rrëshqitur dhe ka rënë përdhe. Menjëherë, punëtorët e tjerë kanë marrë të dëmtuarin dhe e kanë nisur për në spital, por nga shembja që kishte pësuar, 40-vjeçari ka ndërruar jetë. Pas kësaj ngjarjeje tragjike, janë njoftuar shërbimet e policisë kryeqytetase dhe në vendin e ngjarjes kanë shkuar uniformat blu të Komisariatit Nr. 4. Menjëherë është mbledhur një grup hetimor dhe nga të dhënat e mbledhura ka rezultuar se ngjarja kishte ndodhur rreth orës 13:25. Duke marrë shkas nga kjo ngjarje e rëndë në punë, grupi hetimor ka marrë në pyetje dëshmitarët okularë dhe punëtorët e tjerë që ndodheshin në atë zonë. Nga marrja në pyetje, policia ka ngritur dyshimet se në atë kompani nuk plotësoheshin kushtet teknike të punës. Në këto kushte, burimet nga policia kryeqytetase bënë të ditur se kanë kryer shoqërimin e autoriteteve të firmës, ku ishte punësuar viktima. Uniformat blu të Komisariatit Nr. 4, kanë bërë shoqërimin e dy personave, ku sipas të dhënave ishin sipërmarrësi i punimeve në këtë firmë dhe inxhinierja. Fillimisht, në pyetje është marrë sipërmarrësi Edmond L., 33 vjeç, i cili ka dhënë deklarimet e tij në lidhje me këtë ngjarje të rëndë dhe ka paraqitur dokumentet e firmës. Më pas, oficerët e policisë gjyqësore kanë marrë në pyetje edhe inxhinieren e firmës, Trëndelina D., 40 vjeçe. Kjo e fundit është pyetur nga hetuesit për kushtet teknike të punës, prej të cilave dyshohet se ka ardhur vdekja e 40-vjeçarit. Sipas grupit hetimor, pas marrjes së deklaratës së dy përfaqësuesve të firmës, ku ishte punësuar Altin Pelinxhiu, u vendos që ata të dërgohen për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Tiranës dhe të ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Ndërsa viktima i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore për të dokumentuar frakturat, të cilat i shkaktuan vdekjen, pas rënies nga kati i gjashtë i pallatit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›