"Bollano në gjyq, po vuri tabelat në greqisht"
Problemi i sinjalistikës kulturore-turistike në zonën e Himarës është bërë objekt debatesh mes Prefekturës së Vlorës dhe Bashkisë së Himarës. Prefekti i Vlorës, Xhevair Rexhepi, tregon se nga bashkia janë paraqitur dy kërkesa për ndryshimin e tabelave, duke u shtuar atyre edhe gjuhën greke. Të dyja kërkesat janë rrëzuar si të pambështetura në ligj dhe pas këtij refuzimi kryebashkiaku Bollano ka urdhëruar shkuljen e tabelave në shqip dhe anglisht. Veprimi i Bollanos ka acaruar marrëdhëniet mes bashkisë dhe prefekturës në atë masë sa që prefekti i Vlorës deklaron se do ta hedhë në gjyq kryebashkiakun e Himarës.
Prefektura
Sipas prefektit Rexhepi, në fillim të vitit 2007 Këshilli i Bashkisë së Himarës, me kërkesë të Bollanos, ka miratuar kërkesën për ndryshimin e tabelave orientuese në rrugën nacionale, duke filluar nga Qafa e Llogorasë deri në Qeparo, duke i shkruar ato edhe në gjuhën greke, përkrah gjuhës shqipe dhe anglishtes. Më pas kërkesa i është dërguar institucionit të prefektit për vlefshmëri. Por prefekti i asaj kohe, Kreshnik Alimerko, nuk e ka miratuar këtë kërkesë, sepse nuk ka pasur bazë ligjore.
Në muajin janar të vitit 2008, Këshilli i Bashkisë së Himarës si dhe kryetari i bashkisë, Bollano, ia ka ripërsëritur kërkesën prefektit aktual të Vlorës, Xhevair Rexhepi, por përsëri kërkesa nuk është marrë parasysh. "E para nuk ka pasur bazë ligjore. E dyta, kjo zonë nuk është minoritet, ashtu siç është një zonë e Gjirokastrës apo zona të tjera në Veri. Së treti, kompetencat për të tilla vendime i ka qeveria dhe jo prefektura", thotë prefekti Rexhepi.
Ai tregon më tej se "sapo jemi njoftuar për shkuljen e tabelave orientuese në disa pika, si në Qafën e Llogorasë dhe në disa vende të tjera si në Dhërmi, Himarë dhe Qeparo, menjëherë kemi komunikuar me Bashkinë e Himarës, që administron këtë territor. Kemi kërkuar informacion të detajuar dhe po presim përgjigje nga Bashkia e Himarës, të cilës i kemi kërkuar të na japë arsyet pse ka hequr tabelat e vendosura nga një projekt i Bankës Botërore me miratim të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
Në se do të ndodhë që Bollano do të vendosë këto tabela në gjuhën greke në vendet ku i ka hequr, institucioni i prefektit do t‘ia kalojë çështjen gjykatës".
Manovra e PBDNJ-së
PBDNJ ka vetëm 6 nga 17 anëtarët e Këshillit Bashkiak të Himarës, por edhe pse në pakicë, ky grup këshilltarësh ka arritur të miratojë një propozim të kryebashkiakut Bollano për vendosjen e tabelave në greqisht. Fakti që bëhet i ditur nga prefekti i Vlorës, konfirmohet edhe nga Savo Prifti, përfaqësues i PD-së në Këshillin Bashkiak të Himarës. Prifti tregoi dje për "Shqip" se Bollano ka shfrytëzuar një moment kur disa nga këshilltarët nuk ndodheshin në Himarë dhe ka thirrur një mbledhje të Këshillit Bashkiak. "Kanë bërë mbledhje me 11 veta, sepse ligji e lejon të bëhet mbledhje kur janë më shumë se gjysma e anëtarëve. Nga këta, gjashtë anëtarë kanë qenë të PBDNJ-së dhe kanë arritur të miratojnë me shumicë votash vendimin për tabela në greqisht", thotë Savo Prifti, i cili nuk ka marrë pjesë në atë mbledhje.