"Artemisa" dhe "Apolloni", ceremonia e kthimit në Akropol
Nesër në Akropol të Athinës zhvillohet ceremonia e rikthimit të dy shtatoreve të vjedhura nga Parku i Butrintit e të gjetura po në këtë park gjatë gërmimeve. Fjala është për shtatoret e Artemisës dhe Apollonit, të cilat ndodhen në Muzeun Arkeologjik të Athinës. Ceremonia e kthimit zhvillohet me pjesëmarrjen e titullarëve më të lartë të kulturës në Greqi e në Shqipëri, ministrave respektivë Mihalis Liapis dhe Ylli Pango. Kthimi i dy shtatoreve është iniciuar pikërisht nga ministri Pango, gjatë pjesëmarrjes së tij në një forum ndërkombëtar të organizuar nga Ministria greke e Kulturës më 19 maj 2007, në Greqi. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit në MTRKS, ministri Pango pati në këtë forum një takim të veçantë me ministrin grek të Kulturës, Jorgos Vulgarakis, ku në qendër të bisedës ishte kërkesa për kthimin sa më parë të dy objekteve arkeologjike, të trafikuara në Greqi gjatë trazirave të ‘97-ës dhe më konkretisht të shtatores së Apollonit (shek. II-të erës së re), grabitur në Butrint dhe shtatores së Artemisës së Nikeas (shek II p.e.s), grabitur në Finiq. Në takimin me ministrin e atëhershëm Vulgarakis, ministri Pango deklaroi se ruajtja e vlerave të trashëgimisë dhe të arkeologjisë kombëtare është prioritet i punës së tij, ndërsa kolegu grek i premtoi kthim të shpejtë të dy objekteve.