Kina, ku fëmijët shiten me "kile"
Humbja e mistershme dhe e
shumëpërfolur e britanikes
së vogël, Madeleine Mçann,
më 3 majin e vitit të kaluar, i
ka bërë të gjithë të mendojnë, qoftë edhe
për një çast të vetëm, se çfarë tmerri
është të humbasësh një fëmijë. Emocionet
e prindërve që pësojnë drama
të tilla mund të merren lehtë me mend:
të pabesuarit e asaj që ka ndodhur,
pra e mungesës së fëmijës, frika që me
kalimin e minutave shndërrohet në një
panik të ankthshëm, besimi i dëshpëruar
në vullnetin e mirë të atyre që kanë kryer
krimin, e mbi të gjitha, shpresa se policia
do të vërë në vend drejtësinë.
Në Evropë, grabitjet e fëmijëve janë
relativisht një fenomen i rrallë. Në Kinë,
në të kundërt, po kthehen në një dukuri
gjithnjë e më e përhapur. Çdo ditë në
vendin aziatik grabiten rreth 200 fëmijë,
të cilët merren me dhunë nga krahët e
prindërve, nga shtretërit, nga kopshtet...
Kjo shifër është dyfishi i numrit të grabitjeve
që regjistrohen në Francë dhe Angli,
së bashku brenda një viti. Nëse çdo ditë
do të vdisnin 200 persona për shkak të
së njëjtës sëmundjeje të pashërueshme,
atëherë do të flisnim për një epidemi.
E pikërisht kjo është edhe "diagnoza" e
një dukurie të tillë në Kinë, një epidemi
grabitjesh që nuk po ndalet. Një epidemi
që askush nuk do ta pranojë se është
kthyer në një plagë të madhe. Para së
gjithash, ata që e mohojnë, ose mundohen
ta bëjnë janë qeveritarët. Pekini po
përpiqet me të gjitha mundësitë që kjo
të mos kthehet në një çështje të madhe,
sepse ndryshe do të kthehej në një "tokë
rrëshqitëse". Shkaku kryesor i grabitjeve
është nevoja për të pasur djem meshkuj,
sepse janë ata që e çojnë përpara emrin e
familjes dhe janë po ata që kujdesen për
prindërit në pleqëri. Pas martese, femrat
e lënë shtëpinë, marrin një tjetër mbiemër,
duke ia lënë të gjithë "barrën" në
dorë vëllezërve, që bashkë me mbiemrin
trashëgojnë gjithçka, por edhe kujdesen
për pleqtë. Politika e fëmijës së vetëm,
që nga shumë organizata humanitare
është konsideruar si "një eksperiment
masiv me ndikime shumë të mëdha
në jetën familjare me pasoja të papara
në historinë botërore", është realizuar
përmes vendosjes së ligjeve të ashpra
ndaj mëmësisë. Kështu, para se të konceptojnë
fëmijën e tyre, prindërit duhet
të marrin leje. Familjet fshatare mund
të kenë një fëmijë të dytë, vetëm në rast
se i pari është femër, ndërsa çiftet që
jetojnë në qytet dhe "dhunojnë" normën
e "fëmijës së vetëm", duhet të paguajnë
gjoba të mëdha. Edhe pse ndërprerja e
shtatzënisë është e paligjshme në Kinë,
40 milionë foshnje femra kanë qenë
viktima të abortit selektiv vetëm në vitin
1979, kur nisi dhe politika e fëmijës
së vetëm. Por jo të gjitha gratë janë të
gatshme që të bëjnë aborte për të "hequr
qafe" një fëmijë femër. Kështu, për të
qenë të sigurta për një fëmijë mashkull,
ndonjëherë e vetmja mundësi që kanë,
është që të "blejnë" një fëmijë të grabitur,
me seksin e përcaktuar.
Të gatshëm për gjithçka
"Kam menduar disa herë të vras
veten. Im bir më mungonte tmerrësisht",
rrëfen një grua 20-vjeçare, një vit e
gjysmë pas grabitjes së të birit. Ai ishte
5 vjeç dhe po luante pranë shtëpisë,
kur papritmas u zhduk pa e parë më
askush. Kur të afërmit u ndërgjegjësuan
për mungesën e fëmijës, ishte shumë
vonë. "Vetëvrasja është zgjidhja që shoh
për veten", rrëfen nëna plot dhimbje, e
cila nuk e ka kryer atë ende nga frika e
pasojave që mund të ketë familja e saj.
Sipas zakoneve, kjo gjëmë që ka ndodhur,
është edhe një turp i madh për
prindërit, të cilët nuk ditën të mbanin
një fëmijë mashkull, duke e privuar
familjen nga një trashëgimtar i sigurtë,
që do ta kishte përcjellë emrin e familjes.
Dhimbja dhe turpi i ka bërë këta prindër,
që si shumë të tjerë në situatën e tyre, të
bëjnë gjithçka vetëm për të pasur sërish
djalin e tyre. E ndërkohë, as nuk mund të
shkojë në polici, as ta publikojë çështjen
në shtyp e as të shkojë në grupe gjysmë
sekrete prindërish, të cilët mblidhen për
të ngushëlluar e dëgjuar njëri-tjetrin,
duke qenë se ndajnë të njëjtin problem.
Arsyeja e kësaj gjysmë fshehjeje
është qeveria, e cila nuk do që lajme të
tilla të marrin dheun dhe të bëhen një
problem shqetësues për shoqërinë. Nga
ana tjetër, çifti nuk ka ndenjur duarkryq.
Me paratë e kursyera kanë vendosur
që të ngjisin foton e djalit në vende të
ndryshme, të dukshme dhe të vendosin
edhe numrin e telefonit për çdo lloj njoftim.
Ky është një veprim me rrezik, sepse
nëse do të binte në veshin autoriteteve,
pasojat do të ishin të pamëshirshme
për familjarët, megjithatë dhimbja dhe
dëshpërimi për fëmijët i bën ata që
të shkojnë përtej frikës. Për familjet e
pasura, ato që kanë para, zgjidhja është
punësimi i detektivëve privatë, të cilët
janë të shtrenjtë, por nga ana tjetër,
janë të vetmit që mund të të zgjidhin
punë dhe mbi të gjitha ta bëjnë atë në
fshehtësi të madhe.
Si fantazma
Në vitin 1995, dy gazetarë britanikë
realizuan një dokumentar me titull
"Dhomat e vdekjes", në lidhje me keqtrajtimet
që pësojnë fëmijët në jetimoret
kineze. Këndvështrimi i tyre ishte që
politika e Pekinit për të favorizuar
fëmijët meshkuj dhe ajo e "fëmijës së
vetëm" kishte favorizuar braktisjet dhe
keqtrajtimin e fëmijëve femra. Pamjet
e dokumentarit e konfirmonin më së
miri një tragjedi të tillë me përmasa
shumë të mëdha. Dhjetë vjet më pas, e
njëjta trupë televizive u rikthye në Kinë
për të hetuar për një tragjedi tjetër, atë
të zhdukjes së fëmijëve meshkuj, ose
të trafikut të qindra mijëra fëmijëve,
i cili ka lulëzuar si pasojë e politikave
të mësipërme të Pekinit. Kjo ishte një
ndërmarrje shumë e vështirë, pasi në
radhë të parë, autoritetet e Pekinit janë
kundër çdo lloj publikimi të një fenomeni
të tillë, zanafilla dhe shkaku i të cilit
është pikërisht politika eksperimentale
e qeverisë. Për trupën e realizuesve ishte
thuajse e pamundur. Të dukej sikur kishe
të bëje me fantazma, të cilët mund
të prononcoheshin vetëm përballë teje,
por jo para kamerave. Të gjithë, veç
tragjedisë, përballeshin edhe me frikën
se mos autoritetet merrnin vesh që ata
kishin dëshmuar dhe kështu vështirësitë
do të ishin më të mëdha. Ndër personat
më të guximshëm që pranuan të flisnin
me gazetarët ishin prindërit e fëmijës
5-vjeçar, për të cilin folëm më sipër.
Djali i tyre ishte brenda çdo statistike,
pra një nga të 70 mijë fëmijët që grabiten
çdo vit në Kinë. Jeta e djalit ishte e
vështirë që në fillimin e saj. Ai erdhi në
jetë një vit pasi prindërit kishin nisur të
frekuentoheshin. Politika e "fëmijës së
vetëm" parashikon që çiftet nuk duhet
të kenë fëmijë pa marrë më parë një
leje në organet e posaçme për një gjë
të tillë, e cila i jepet pas një shqyrtimi,
vetëm çifteve të martuara, pra atyre që
paraqesin një certifikatë familjare. Por
duke qenë se çifti nuk ishte i martuar,
nëna e solli në jetë fëmijën në kushte
ilegale, jashtë spitalit. Kjo situatë fshehtësie
zgjati deri në momentin që të dy
u ndërgjegjësuan se në këtë mënyrë jeta
do të ishte një ferr si për vogëlushin edhe
për prindërit. Kështu e "rrëfyen" djalin
tek autoritetet dhe paguan një gjobë prej
800 eurosh, për të cilën punuan plot 5
vjet. Tani dhimbja që ndjejnë për zhdukjen
e fëmijës plot halle është shumë
e madhe. Të dy prindërit vazhdojnë të
qëndrojnë bashkë, sepse duan që nëse
një ditë fëmija do të kthehet, t‘i gjejë të
dy aty së bashku. Ata janë munduar të
bëjnë gjithçka që është e mundur, por
siç thotë edhe një proverb kinez "Po kërkojnë
gjilpërën në kashtë". Çështja është
se prindërit e Jies dhe mijëra fëmijëve të
tjerë, luftojnë me forca jo të barabarta
ndaj një rrjeti të mirëfilltë trafikantësh,
që merret me grabitjen e fëmijëve dhe
trafikimin e tyre për të plotësuar një
kërkesë gjithnjë e në rritje nga çiftet, që
për të pasur një djalë, janë gati të ofrojnë
shuma të mëdha parash për ta blerë. Në
Kinë, për sa mund të duket qesharake,
është e paligjshme që të braktisësh,
grabisësh një fëmijë, por jo ta blesh atë.
Madje, ligji thotë se në rast se familjet që
kanë adoptuar fëmijë të shitur nuk kanë
abuzuar mbi ta, atëherë forcat e rendit
nuk kanë të drejtë që të procedojnë ndaj
tyre. Kësisoj edhe trafikantët e fëmijëve
nuk e kanë të vështirë që të justifikojnë
veprimet e tyre, pasi ata kërkojnë që të
bëjnë ofertat e nevojshme për kërkesën
e blerjes së fëmijëve nga familje që kanë
nevojë për të pasur fëmijë meshkuj.
Sipas një grabitësi, një grabitje më
parë studiohet, e më pas, në bazë të
studimit, veprohet. Për shembull para
se të kryhet veprimi, studiohet nëna e
fëmijës, lëvizjet e saj, mënyra se si sillet
ndaj fëmijës. Më pas, kur e ëma ndodhet
larg fëmijës, atij i vendoset një shami me
gjumëvënës në gojë dhe gjithçka merr
fund. Këta fëmijë janë kthyer në një mall
të vërtetë, i cili merret, i caktohet çmimi
dhe më pas shitet. Tragjedia e prindërve
dhe e fëmijëve sa vjen e bëhet më e madhe
në një vend ku qeveria vazhdon të
mbajë në fuqi një ligj që gjeneron vetëm
tragjedi familjare.