E Diel, 1 Nëntor 2026

Premiera "Pamje nga ura", tre net shfaqje në Vlorë

Vlora do të jetë dalja e parë jashtë Tirane e trupës së pjesës teatrale "Pamje nga ura", cila ka shënuar një rekord për skenën e Teatrit Kombëtar vitin e kaluar, për numrin e shfaqjeve e të spektatorëve. Sipas shumë kritikëve, suksesi i kësaj pjese i është adresuar famës që gëzon autori i saj, amerikani Artur Miler; famës së vetë pjesës që ka gëzuar në çdo kohë dhe në çdo skenë botërore ku është vënë, si dhe mjeshtërisë aktoreske të Timo Fllokos, që luan rolin kryesor, atë të Edi Karbones. Nga ana tjetër, krah tij janë emra të tjerë të mëdhenj të skenës, si Yllka Mujo, Bujar Asqeriu e Fatos Sela, por dhe të rinjtë surprizantë si Olta Gixhari dhe Indrit Çobani. Edhe skenografia mban emrin e të madhit Agim Zajmi. Në krye të gjithë këtij ekipi ndodhet regjisori i njohur, Albert Minga, si i rikthyer me vënie në skenë të veprave të tilla të mëdha. Vajtja në Vlorë e trupës, e cila do të japë shfaqje tre net radhazi, është dhe një takim i vlonjatëve me vlonjatë, pasi dy protagonistët, Flloko e Minga, janë pikërisht nga ky qytet. Drama "Pamje nga ura" e Artur Milerit u realizua për herë të parë në Shqipëri 44 vjet më parë, nga regjisori Pirro Mani, i sapo kthyer nga studimet në Moskë, ku dhe kishte interpretuar Edi Karbonen. Premiera e vënë atëherë në skenën e teatrit "Andon Zako Çajupi" në Korçë, pas një turi në Shqipëri, u ndalua nga regjimi komunist, i cili e konsideroi atë "një dramë frojdiste".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›