Ligji i duhanit, Ndoka: Nuk zbatohet pa bashkiakët
Zbatimi i ligjit të duhanit nuk ësh
të i përsosur si nga puna e
gjobëvënësve apo vjelësve të tyre,
ashtu edhe nga qytetarët. Duke
pasur parasysh edhe zbatimin e
ligjit në vendet e tjera të BE-së, siç
është edhe Rumania, për të vendosur
në shina zbatimin e këtij ligji
duhet më shumë punë, megjithatë
Shqipëria duket se është në rrugë
të mbarë. Këto deklarata janë bërë
dje nga kreu i Shëndetësisë, Nard
Ndoka, i cili ka vlerësuar pozitivisht
pjesën e punës që i takon shëndetësisë
dhe i ka kujtuar bashkisë edhe
njëherë se po bëhet shkas për
pengimin e zbatimit të rregullave
për ligjin "Për mbrojtjen e shëndetit
nga produktet e duhanit". "Edhe pse
është një ligj që ndeshet me një
mentalitet të vështirë dhe me vështirësi
në zbatim, në tërësi për ne ka
qenë i suksesshëm", theksoi ministri.
Ai tha se aktualisht ndihet mungesa
e pjesëmarrjes së policisë bashkiake,
e cila sipas ligjit është pjesë e
pesë strukturave përgjegjëse, që
janë ngarkuar të bashkëpunojnë me
Ministrinë e Shëndetësisë për zbatimin
e ligjit. "Në zbatim të ligjit, ne
arritëm të heqim reklamat e duhanit
në çdo vend publik, vendosëm
në çdo paketë sigla paralajmëruese
në gjuhën shqipe,
ushtruam kontrolle dhe kemi vendosur
një numër të madh gjobash
në njësi shtetërore, publike e private",
tha Ndoka.