Gjirokastër, trazohen eshtrat e Çajupit, Bajos dhe Çerçizit
Memoriali kushtuar pionierëve të kulturës dhe arsimit kombëtar shqiptar, si dhe varrezat e pesë rilindësve të shquar të vendosura në kodrën e lagjes "Manaj" pranë shkollës 9-vjeçare "Çajupi" në Gjirokastër, janë objektet më të shpërfytyruara dhe më të dhunuara në këtë qytet, që pretendon se e ka kapur i pari integrimin dhe Evropën nga është përfshirë në listën e pasurive kulturore botërore nga UNESKO.
Gurët e varreve, shkallëve dhe mureve rrethuese, janë të shkulura e të thyera, memoriali në formë obelisku në qendër të këtij objekti rreth 4-5 metra i lartë është i nxirë e rrënuar, ndërsa shqiponjës në krye të obeliskut i kanë dalë hekurat që ngjajnë si eshtrat e brinjëve të shpendit simbol kombëtar.
Askush sot nuk është në gjendje të përcaktojë se kujt prej 5 rilindësve i përket njëri varr dhe kujt i përket varri tjetër, pasi nuk ka asnjë pllakë të shkruar me emrat e këtyre njerëzve të ndritur mbi të pesë varret e tyre. Gurët e mermerit në ballë të varreve ku dikur ishin të shkruar emrat e atdhetarëve Andon Zako Çajupit, Bajo e Çerçiz Topulli, Pandeli Sotiri dhe Koto Hoxhi, janë shkulur nga vendi dhe janë marrë duke mos lënë asnjë mundësi për identifikimin e tyre. Të pesë varret e memorialit nuk ngjajnë aspak me varre, por vetëm me një grumbull gurësh pa formë. E vetmja gjë që ka mbetur nga shkëlqimi i dikurshëm i këtij vendi dhe që të kujton se dikur këtu ka qenë një memorial kushtuar dëshmorëve të rilindjes kombëtare është një mbishkrim i gdhendur në një pllakë mermeri ku shkruhet "Lavdi kujtimit të rilindësve që me penën dhe pushkën e tyre ngritën popullin në luftë për liri". Këta njerëz të shquar, luftëtarë, mësonjës, shkrimtarë, poetë dhe atdhetarë të përkushtuar të lëvizjes kombëtare dhe rilindjes shqiptare, këta udhëheqës të luftës së armatosur të çetave shqiptare kundër sunduesve osmanë për çlirimin kombëtar të vendit, ndonjëri prej tyre edhe "Hero i Popullit", nuk kanë sot as varr!? Për këta njerëz të ndritur që e kthyen edhe penën në pushkë dhe në dritë diturie dhe përparimi, nuk gjendet sot, në kohën e kompjuterit, tenderave, projekteve pa fund të fondacioneve e shoqatave joqeveritare, një penë që të shkruajë ato shtatë a tetë germat e emrave të tyre mbi pllakën e varrit.
Heroi i Popullit, Çerçiz Topulli, vëllai më i madh, Bajo Topullit, njeriut të cilit i këndohet edhe sot e kësaj dite kënga "...Mulazim largo taborrë, Se të skuq të bëj me bojë, Çerçiz Topulli më thonë", prehet sot brenda një varri ku nuk ka të shkruar as emrin e tij?!
Historia e memorialit të rilindësve në Gjirokastër
Memoriali i rilindësve në Gjirokastër është ngritur me vendim të bashkisë së qytetit në vitin 1936, pikërisht në momentin kur vdiq Bajo Topulli dhe kur u vendos që trupi i atdhetarit dhe ish-kryetarit të deriatëhershëm të Bashkisë së Gjirokastrës, B. Topulli, të varrosej në majë të një kodre në hyrje të qytetit, ku një vit më vonë do të silleshin edhe eshtrat e vëllait të tij nga Shkodra.
Çerçiz Topulli dhe Muço Qulli u vunë para togës së pushkatimit nga gjenerali malazez Veshoviç, në 15 korrik të vitit 1915 në Fushën e Shtoit në Shkodrën e rrethuar nga forcat e pushtuesve malazezë. Dy luftëtarët dhe atdhetarët fillimisht u mbuluan nga vrasësit në një varr të përbashkët në Shkodër dhe më pas në vitin 1937 eshtrat e Çerçiz Topullit u rinxorën dhe u vendosën në shenjë nderimi në këtë memorial në hyrjen e vjetër të qytetit të tij të lindjes në Gjirokastër, pranë vëllait të tij, Bajo Topulli, që vdiq në korrik të vitit 1936. Rivarrosja e Çerçizit u organizua krahasimisht me vendosjen e përmendores së tij në qendër të sheshit që mban sot emrin e këtij luftëtari të shquar. Përmendorja e Çerçizit është vepër e skulptorit të popullit, Odise Paskali, dhe derdhja e saj u realizua me kontributin e qytetarëve gjirokastritë.
Pas çlirimit të vendit, rreth viteve ‘70 u vendos që vendvarrimi i vëllezërve Topulli të transformohej në një memorial kushtuar rilindësve dhe të silleshin aty edhe eshtrat e tre atdhetarëve të tjerë: Koto Hoxhit, Pandeli Sotirit dhe të Andon Zako Çajupit, që do të vinin nga Egjipti, ku ai kishte vdekur gjatë mërgimit në këtë vend.
Pas Gjirokastrës, është Saranda që ofron aspekte të mynxyrshme të degradimit të vlerave muzeale dhe historike
Hasan Tahsini, shtëpiprishur në Ninat
Po dole në Bregun e Mëne në Markat, ke parë si në pëllëmbë të dorës Ninatin, fshatin e dijetarit të madh Hasan Tahsini, emrin e të cilit e mbajnë disa shkolla në vend. Doemos, se ai ishte nga ata që i dha emër Shqipërisë në perandorinë e madhe. Gjimnazistët e qytetit të Sarandës gjithashtu thirren hasantahsinas. Ndërsa bashkëfshatarët e tij i kanë Hasan Tahsinit të ditur një borxh të madh. Shtëpinë e tij, të rrallë për nga arkitektura dhe për nga historia, e lanë të binte gur mbi gur, të kthehej më 1991 e pastaj në fjetore refugjatësh që kalonin ca orë natën, sa të vinte ora e kalimit qetë-qetë të kufirit. Hera-herës bagazheve të tyre të shpinës u shtonin edhe ndonjë relike për ta futur në pazarin grek. Dhe erdhi një ditë që muzeut i mbetën minderet e qilimat, që duheshin për gjumë. Më ‘97-ën shtëpisë-muze që nuk i kishte mbetur më gjë për të marrë, i erdhi fundi nga çatia që u shemb e ra përdhe. Dykatëshja me gurë të skalitur e qemerë tipikë në dritare erdhi e u bë si e bombarduar nga predha artilerie. "Harresa është e keqja e madhe", thotë me dhimbje në shpirt Binoz Lame, një nga kontribuuesit e ngritjes dhe pasurimit me objekte tipike të fshatit dhe ato të përdorimit personal të Tahsinit të shquar të dijes. Ai është me shtëpi përballë gërmadhës që vetëm 16 vjet më parë mundte t‘u fliste brezave për mençurinë e Tahsinit, që kishte studiuar me rrënjë fizikën dhe kiminë, astronominë dhe matematikën, gjeografinë dhe mjaft rryma filozofike. Kur ishte 57-vjeç, ninatioti Hasan Tahsini, me titullin hoxhë, u bë rektori i parë i Universitetit laik të Stambollit, të çelur më 1868.
Në Ninat na thanë se shtëpia e Hasan Tahsinit u kthye në muze dhe u përurua më 1985. Pjesë e kësaj shtëpie ishin dy sallat, ku vizitori gjente materiale historike, etnografike, ekonomike e demografike për Çamërinë si krahinë dhe veças për Ninatin, si fshat i shquar i saj. Na thonë se në 4 salla të tjera vend të posaçëm gjenin dokumentet kushtuar jetës, veprimtarisë atdhetare dhe asaj shkencore të dijetarit Hasan Tahsini. Dokumente, relike, harta, vepra arti dhe një arkiv i pasur botimesh e ribotimesh të veprave të Hasan Tahsinit ishin pasuria e këtyre sallave. Deri edhe për një orë diellore që gjendej aty bëjnë fjalë ende në Ninatin e këtyre ditëve. Na çoi atje jetëshkrimi i të parit formacion partizan, përvjetori i 65-të i çetës me emrin Çamëria. Por përtej krismave të armëve të luftës, po të vësh veshin, ndjen aromën e germave të alfabetit të veçantë që hartoi Hasan Tahsini, sheh gjithësinë përmes teleskopit të tij. Tahsini njihet si krijuesi i një alfabeti origjinal, të thjeshtë e praktik, as latin, as arab, as grek. Kishte 29 bashkëtingëllore dhe 8 zanore, të ndërtuar sipas tij "mbi bazën e germave të sajuara posaçërisht për gjuhën shqipe". Poligloti i gjuhëve të Lindjes dhe Perëndimit, Hasan Tahsini, mori pjesë edhe në komisionin që hartoi dhe miratoi alfabetin e Stambollit më 1879. Tek vjen era myshk nga pragjet dhe shkallët e gurëve të palosur njëri mbi tjetrin nga rrënimi, na vjen në mendje ajo që ka thënë Sami Frashëri për banorin e dikurshëm të kësaj shtëpie, që ashtu si ai, nuk është më. Sami Frashëri ka qenë nxënës i Hasanit dhe e ka cilësuar: "…Një nga njerëzit e mëdhenj, që shumë rrallë e me vështirësi i lindin shekujt dhe epokat". Me të njëjtën dëshirë për të nxitur mëkëmbjen e asaj që s‘është zhbërë, kemi qenë këtu edhe në nëntorin e pesë viteve më parë. Njësoj si tani, shqetësimi tronditës për mungesën dhe harresën e kësaj shtëpie u përcoll në faqe të gazetave. Por pasi ka rrjedhur jo pak kohë, sërish Hasan Tahsini mbetet shtëpiprishur në Ninat.
Dokumente, relike, harta, vepra arti, një arkiv i pasur botimesh e ribotimesh të veprave të tij, përfshi edhe orën e famshme diellore, nuk dihet se ku kanë përfunduar. U vodhën librat në turqisht e deri edhe rrobat e sheshit, duke menduar t‘i bënin pasuri. Ndërkaq, gurët kanë rënë mbi njëri-tjetrin dhe muret e mbetura i mbulon myshku. Takojmë Isuf Bastriun, që prej vitesh ka qenë ciceron i kësaj shtëpie. "Kam folur deri dhe me ministrin Pollo, tregon ai, dhe kam marrë premtimin se do të ringrihet shtëpia". Të njëjtën gjë përsërit edhe kryetari i ri i komunës, që i ka nxjerrë nga ngërçi disa nga ngecjet e fshatrave të njësisë vendore, që Ninatin e ka pjesën më të ndritur të saj.
"Ishte aq e mirë", na thonë dy gra të moshuara që takuam dhe fjalën e kanë për shtëpinë-muze të bërë gërmadhë. Ndodh kështu me një shtëpi të vetme me vlera për të gjithë, pasi ngado që të hedhësh sytë, shtëpitë e tjera, qofshin edhe me të zotët në emigracion, duken të gjitha të ndërtuara e të mbajtura. Kështu ndodh me shtëpitë e Ninatit, që janë aq të zakonshme dhe të ngjashme me njëra-tjetrën. Ndërsa ish-shtëpia muze, aq e veçantë në arkitekturën dhe në historinë e saj, qëndron prej më shumë se 16 vjetësh e bastisur dhe 11 vjet e braktisur dhe e rrënuar. Janë bërë jo pak investime në infrastrukturën rrugore, ndërsa infrastruktura kulturore ka mbetur e mbërthyer me vite në premtimet e pambajtura. Asgjë nuk shihet të lëvizë e të ndryshojë nga pamjet e rrënimit dhe braktisjes, që ish-shtëpia muze e dijetarit të madh Hasan Tahsini vazhdon të ofrojë. Shtëpia e rektorit të parë të Universitetit të Stambollit nuk i flet askujt për dimensionin e figurës madhore të shkencës dhe dijes me rrezatim evropian.