E Diel, 1 Nëntor 2026

Arti shqiptar, një vit pa të madhin Kadri Roshin

Një vit më parë u nda nga jeta aktori i madh i skenës dhe ekranit, Kadri Roshi, emrin e të cilit e mban dhe një ndër sallat e Teatrit Kombëtar. Ai ndërroi jetë pas një sëmundjeje të gjatë që e detyroi të lëngonte për disa vjet në shtrat. Ndër rolet e fundit të tij ishte ai i Ezopit, ku skaliti një prej karaktereve më të përsosura gjatë karrierës së tij, e cila është një galeri e stërmadhe rolesh e personazhesh që i afrohen shifrës dyqind. Nëse Kadri Roshi, apo më saktë teatri dhe kinemaja shqiptare, do ishin të vlerave botërore, ose së paku të zhvilluara jo në izolacion kulturor, pa dyshim që Kadri Roshi do ishte një figurë e madhe duke tejkaluar kufijtë kombëtarë. Përveç roleve, personazheve e karaktereve të shumta, ai ka lënë në memorien publike dhe një shumësi batutash, të cilat vijojnë të jenë në maksimumin e artikulacionit në çdo kohë e vend, duke mos mbetur në harresë. Të tilla janë: "Hani ju hani, ç`ti bëj drejtorit unë, pa hani" (nga filmi "Lulëkuqet mbi mure"); "Gërmo Tare gërmo, se qenin e ngordhur do gjesh" (nga filmi "Përballimi"); "Të fala sat`ëme" (nga filmi "Tokë e përgjakur") e shumë të tjera. Rasti i Kadri Roshit si aktor i madh ishte i pazakontë në fillimet e tij, pasi ai ishte cilësuar si i patalentuar nga një komision e kështu nuk kishte mundur të futej në shkollë. E gjithë madhështia e tij në aktrim i është dedikuar asaj që ai e quante: "Një për qind talent e njëqind për qind punë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›