Pollo: Kemi shpërndarë gjysmën e lekëve të librave shkollorë
Ministri i Arsimit, Genc Pollo,
deklaroi dje në seancë parlamentare
se afro 51 për qind e
prindërve kanë tërhequr deri tani
lekët e subvencionit të teksteve.
Sipas tij, që nga janari, kur nisi
shpërndarja, gjithçka ka funksionuar,
por përjashtim bën një
rreth që ende nuk e ka nisur
dhënien e subvencionit. Lidhur
me vonesat, ministri i Arsimit
sqaroi se ato kanë ardhur si pasojë
e kasave nëpër librari. "Kemi liberalizuar
tregun e librit shkollor, ku
botuesit janë në konkurrencë me
njëri-tjetrin, por ende s‘kemi
gjithë parametrat, siç janë kasat
nëpër pikat e shitjes", tha ministri,
duke shtuar se pikërisht këto fatura
krijuan probleme në muajin shtator.
Për sa i përket pjesës së mbetur
të prindërve, që ende nuk i ka
marrë lekët, ai tha se "të gjithë mund
t‘i tërheqin paratë, pasi rezulton se
94 për qind e tyre i kanë dokumentet
në rregull". Pra, vetëm 0.6 për
qind e familjeve që kanë fëmijë në
shkollë s‘do të marrin subvencion,
pasi nuk kanë plotësuar dokumentet.
Për sa i përket fondit, ministri i
Arsimit vuri në dukje se "janë 2.5
milionë euro fond për subvencionin
e teksteve dhe deri tani është
lëvruar gjysma e tyre".
Një pikë tjetër ku u ndal ministri
i Arsimit, Genc Pollo, është cilësia
e teksteve. Ai u shpreh se "me reformën
e Altertekstit kemi libra më
cilësorë në treg dhe për më tepër
mësuesit mund të zgjedhin mes
tyre, pasi janë alternativë". Për ato
shtëpi botuese që nuk kanë respektuar
kontratat, MASH ka marrë
masa penalizuese, siç është përjashtimi
i katër prej tyre nga gara e
hartimit të teksteve. Ministria e
Arsimit ka hapur edhe gjyq me dy
shtëpi botuese, ku njërin e ka
humbur dhe tjetrin e ka fituar. "Dy
çështje të njëjta si dy pika uji, njëra
jepet në favorin tonë, tjetra në disfavor,
vetëm se u gjykuan nga dy
gjykatës të ndryshëm". Kështu u
shpreh ministri për dy shtëpitë
botuese që kërkoi t‘iu heqë të
drejtën e autorit në gjykatë një vit
më parë. Ai shtoi se "shpresojmë
që reforma në drejtësi t‘i eliminojë
këto mospërputhshmëri". Në
bazë të ligjit, MASH është ajo që
lidh kontrata me botuesit. Kur
këta të fundit i shkelin përpos
zgjidhjes së kontratës, duhet t‘u
hiqet edhe e drejta e autorit, pasi
botuesit vazhdojnë të mbeten në
treg me ribotimin e librave të mëparshëm.