E Diel, 1 Nëntor 2026

Asambleja e PS-së hedh poshtë platformën e Koçit

Partia Socialiste ka zhvilluar në bastionin e demokratëve në Shkodër punimet e Asamblesë Kombëtare. Mësohet se kjo asamble është zhvilluar në Shkodër për faktin se në Shkodër, Fatos Nano mendohet të ketë një grup mbështetësish brenda PS-së lokale. Punimet kanë zgjatur për rreth 5 orë dhe kanë përfunduar me votimin në shumicë e pa debate të kalendarit politik të PS-së, ndërsa është hedhur poshtë me shumicë të madhe votash platforma e hedhur në votim nga Petro Koçi e Elmaz Sherifi, e cila kërkonte mbledhjen e kongresit të jashtëzakonshëm në pranverën e ardhshme. Asambleja ka nisur punimet me fjalën e kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili në fillim ka falënderuar pjesëmarrësit e mitingut të

zhvilluar dy ditë më parë në sheshin "Skënderbej". Sipas Ramës, mitingu ishte shprehja e parë kuptimplote e politikës sonë të re dhe tregoi se kjo mënyrë është ajo që do na japë atë që duam, fitoren në zgjedhjet e ardhshme dhe kthimin e saj në një instrument për ndryshimin e jetës së shqiptarëve. Duke folur për asamblenë Rama u shpreh se "çdo anëtar i kësaj asambleje, duhet të jetë i vetëdijshëm se ka një mandat, jo vetëm për t‘u ulur në këtë karrige një here në tre muaj, por për të qenë pranë PS dhe aktiv në zbatimin e programit të saj. Duke folur për dialogun me Shqipërinë, Rama theksoi se kam bindjen se ky projekt i madh po zë vend në shoqërinë shqiptare, kam bindjen se politika e re politika e re që PS është e vendosur t‘u japë shqiptarëve është një shpresë e re për ta. Është shprehje e qytetarisë së re që shoqëria ka nevojë ta shohë te politika, është politika e shoqërisë së re shqiptare ka thënë Rama. Pas fjalës së kryetarit të PS-së, mediave u është kërkuar të mos jenë të pranishme, pasi do flitej dhe votohej për çështje të brendshme të partisë. Në këtë Asamble, ajo që ra në sy ishte propozimi për votim i platformës së Petro Koçit. Pas disa diskutimesh, kjo platformë është hedhur në votim ku nga 160 votues vetëm gjashtë prej tyre kanë votuar në favor të kësaj platforme, duke bërë që dhe kjo nismë të dështojë. Më pas Asambleja ka zhvilluar punimet me votimin e kalendarit politik për periudhën janar-maj 2006, Kodi Zgjedhor i PS-së dhe rregullorja e votëbesimit. Asambleja i ka zhvilluar punimet për rreth 5 orë në një klimë të qetë pa debate të ashpra. Nga diskutimet, në mënyrë unanime, Asambleja i dha mbështetje të plotë politikës "Dialogu me Shqipërinë". Në takimin e djeshëm është zhvilluar një replikë në distancë mes Petro Koçit dhe drejtorit të fondacionit "Qemal Stafa", Saimir Tahiri. Koçi ka akuzuar Tahirin se është anëtar i Asamblesë pa legjitimitet politik. Ndërkaq, e menjëhershme ka qenë përgjigjja e Tahirit, i cili deklaroi se "personalisht nuk ndiej minimalisht më të voglin detyrim t‘i jap njeriut këtu llogari për mandatin tim në këtë forum, gjithsesi, dua të kërkoj nga ju vetëm një gjë: kur herë tjetër t‘i referoheni kësaj Asambleje të nderuar duke cenuar integritetin dhe legjitimitetin e saj ose drejtoni gishtin konkretisht ose heshtni sot e përgjithmonë".

Menjëherë pas mbarimit të Asamblesë Kombëtare, Petro Koçi, deklaroi se "një pjesë e madhe e Asamblesë Kombëtare foli me një gjuhë të papranueshme, me një refuzim, për mendimin tim, me shumë pikëpyetje prapa. Ky refuzim ishte i urdhëruar nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama". Ndërkaq, vetë kreu i Ps-së, Edi Rama, në lidhje me deklaratat e Koçit, theksoi se "kemi 2 vjet që kemi pasur gurë nën rrota, por nuk jemi atakuar asnjëherë me zërat kundër në parti. Jeni të lirë të kontribuoni dhe të punoni bashkë me ne në të gjithë këtë angazhim e punë që po bëjmë. Konkretisht, Rama është drejtuar nga Petro Koçi duke pohuar "Me ty Petro, as me asnjeri tjetër nuk kam asgjë personale. Madje në të gjithë takimet e bëra nuk kam lejuar asnjeri që të përmendë emrat e kundërshtarëve brenda partisë as të atakohen ato, pasi dua të mbyllen këto histori telenovelash".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›