Meta: Mitingu tregoi forcën e opozitës
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi dje në Ersekë se "me protestën në sheshin "Skënderbej" opozita tregoi edhe njëherë që është e aftë të drejtojë vendin dhe di se si të përfaqësojë në mënyrë dinjitoze dhe të fuqishme zërin e qytetarëve, në mënyrë që problemet tuaja të dëgjohen dhe të zgjidhen. Meta ishte në Ersekë në një takim me simpatizantët e LSI-së. Në këtë takim ku ndodheshin qindra pjesëmarrës mjaft entuziastë, kreu i LSI-së, Meta, falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen. Duke evokuar vlerat dhe traditat e popullit të kësaj zone, Meta u shpreh se "kemi ardhur sot në Kolonjë jo vetëm duke pasur në konsideratë besimin dhe votat e shumta që ka marrë LSI këtu, por duke pasur në mendje dhe në zemër historinë dhe traditat e Kolonjës, të cilat nuk duhet të vdesin asnjëherë. Po të kthehemi pas në historinë e vendit tonë do të vëmë re se kontributi i kolonjarëve është i jashtëzakonshëm në zgjimin e ndjenjës kombëtare në periudhën e Rilindjes kombëtare.