Frika nga sëmundjet ul shitjen e gjelave të detit
Konsumatorët e rrethit të Fierit dhe veçanërisht ata të qytetit të Roskovecit, prej dy ditësh janë vënë në alarm për shkak të sëmundjeve që kanë prekur gjelat e detit. Shitja e shpendëve ka rënë ndjeshëm në këto dy ditë në të gjithë rrethin e Fierit.
Gjithashtu, prej Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit kanë nisur kontrollet e të gjitha fermave që rrisin gjela dhe në të gjitha tregjet. Konstatimi i një sëmundjeje te pesë gjela në Kuçovë, vetëm 24 kilometra larg nga Fieri, ka vënë në alarm tregtarët, konsumatorët dhe autoritetet e bujqësisë në Fier. Ndërkohë që tregtarët kanë pranuar rënien e shitjeve, konsumatorët e shprehin hapur frikën. Në tregjet e Fierit, Roskovecit dhe Patosit prej dy ditësh mësohet se janë shitur shumë pak gjela deti. "Të gjithë njerëzit që kanë ardhur për të pyetur, kanë pasur frikën e sëmundjeve. Ky alarm që erdhi nga Kuçova po na e çon dëm mundimin e një viti", thotë Mynever Leskaj, një tregtar në Fier. Nga ana tjetër, konsumatorët janë të gatshëm të refuzojnë "mbretin" e tryezës së Vitit të Ri për ta zëvendësuar me mishin e qengjit apo të viçit.
Ndërkohë në Drejtorinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Fier deklarohet se dy ditët e fundit ka nisur kontrolli i të gjitha fermave të shpendëve në qark. Kryeveterineri i kësaj drejtorie, Musa Doko, ka thënë se "edhe shpezët në treg janë bërë objekt kontrolli. Ne nuk kemi pasur raste të sëmundshmërisë në Fier, por është paniku që ka kapur konsumatorin ai që na detyron të nisim kontrollet".