Ruli centralizon panairet
Të gjitha panairet që do të zhvillohen në Shqipëri tashmë duhet të kalojnë përmes një institucioni shtetëror që pritet të krijohet për këtë qëllim. Panairet dhe ekspozitat e biznesit do të kenë së shpejti një strukturë të specializuar, e cila në projektligjin e ri është parashikuar të quhet Qendra Kombëtare e Panaireve dhe Ekspozitave Tregtare. Ky institucion do të jetë i vetmi që do të ketë autoritetin për t‘u marrë me organizimin dhe menaxhimin e të gjithë panaireve, në nivel vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar. Projektligji i ri, "Për organizimin e panaireve dhe ekspozitave tregtare", i përgatitur nga METE, pasi është shqyrtuar dhe diskutuar me grupet e interesit, do të kalojë për miratim në qeveri dhe në Kuvend. Deri tani, organizimi i panaireve dhe ekspozitave të ndryshme të fushës së biznesit është rregulluar me vendime të posaçme të qeverisë. Baza ligjore e një kuadri të plotë me projektligjin e ri, sipas Ministrisë së Ekonomisë do të mënjanojë plotësisht defektet e vërejtura në organizimin e deritanishëm të panaireve dhe ekspozitave të ndryshme tregtare dhe biznesit. Sipas burimeve të METE-s, nga ecuria e deritanishme në organizimin e tyre, mungesa e profesionalizmit sipas standardeve botërore, mosrespektimi vjetor i panaireve dhe ekspozitave të biznesit, pjesëmarrja në mënyrë spontane në panairet jashtë vendit, janë ndër mungesat kryesore, që kanë ndikuar në një organizim të dobët dhe që nuk kanë pasqyruar situatën reale të bizneseve shqiptare. Me organizimin e ri të panaireve dhe ekspozitave tregtare nga QKPET, synohet që të prezantohen më mirë aftësitë teknike, teknologjike e shkencore të sektorëve të ndryshëm prodhues dhe të shërbimit, arritjet në zhvillimin ekonomik të shtetit shqiptar, nxitjen e investimeve në vend, si dhe promovimin e eksporteve tona jashtë vendit. Me hyrjen në fuqi të këtij projektligji të ri, QKPET do të hartojë kalendarin vjetor të panaireve dhe ekspozitave të biznesit. Ndërkohë, çdo panair sipas llojit, do të ketë procedura të përcaktuara për organizimin e tij. Organizimi i panaireve dhe ekspozitave tregtare në nivel vendor, do të zhvillohen nën drejtimin e dhomave të tregtisë dhe industrisë, me mbështetjen e pushtetit vendor.