Bode: S‘japim më para për KESH
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të duhet t‘i sigurojë vetë paratë për të blerë energji vitin e ardhshëm, pasi nuk mund të shpresojë më në një ndihmë tjetër të qeverisë. Kreu i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se gjatë vitit 2008, qeveria nuk do të japë asnjë lekë për korporatën. "KESH-i nuk do të marrë më lekë në vitin që vjen. Paratë e parashikuara për t‘u dhënë në 2008-ën ne po i japim tani dhe ky nuk është financim, por kredi", tha Bode. Kjo deklaratë e Bodes, vjen vetëm një ditë pasi Enti Rregullator i Energjisë deklaroi publikisht se do të rrisë çmimin e energjisë. Në këtë mënyrë, kreu i Financave indirekt është zëri i parë që rizgjon debatin e lënë pezull mes KESH-it dhe kundërshtarit më të fortë të rritjes së çmimit të energjisë, Kryeministrit Berisha. Tashmë dilema është se ku do t‘i gjejë KESH lekët për të siguruar importin e energjisë gjatë vitit 2007 në një kohë që çmimet e këtij produkti në tregun ndërkombëtar vijnë në rritje nga viti në vit.
KESH
Drejtuesit e Korporatës Elektroenergjetike pretendojnë se me çmimet aktuale të energjisë në vendin tonë edhe sikur KESH të menaxhohej në mënyrën më të mirë të mundshme sërish do të dilte me humbje. "Edhe nëse humbjet e energjisë do të ishin zero dhe arkëtimet të ishin në nivelin 100 për qind, me këto çmime që KESH u shet energjinë konsumatorëve, ajo prapë do të dilte me humbje," ka deklaruar në më shumë se një rast kreu i KESH-it, Gjergj Bojaxhi. Në këtë pikë, rruga e vetme për të nxjerrë korporatën nga kolapsi mbetet rritja e çmimit të energjisë. Por në fakt, kundër kësaj rritjeje është pozicionuar Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili nuk pranon në asnjë mënyrë që rritja të prekë familjarët, të paktën ata që konsumojnë nën 400 kilovat/ orë, pasi shefi i qeverisë u druhet mes të tjerave edhe pasojave poltike që mund të ketë një vendim i tillë. Disa zëra nga qeveria shpresojnë se përmirësimi i situatës hidrike dhe rritja e prodhimit vendas të energjisë do të ndihmojë në normalizimin e gjendjes financiare të KESH-it. Por në vitin më të mirë, atë 2004, ku sasia e importeve ishte e papërfillshme dhe prodhimi vendas i energjisë arriti nivelin maksimal, KESH nuk arriti të realizojë më shumë se 50 milionë dollarë fitim. Kjo do të thotë se korporata do ta ketë shumë të vështirë shlyerjen e këtyre parave dhe stabilizimin e situatës së saj edhe në rast se prodhimi vendas do të rritej.
4 miliardët e fundit
Pas një debati të gjatë rreth situatës së vështirë financiare të Korporatës Elketroenergjetike Shqiptare dhe pasi kishte refuzuar në më shumë se një rast publikisht të jepte para të tjera për këtë korporatë, Ministria e Financave është dorëzuar më në fund. Në formën e një kredie me afat njëvjeçar për të ndihmuar Korporatën Elektroenertgjetike Shqiptare, qeveria do të disbursojë edhe 5 miliardë lekë, pasi kishte disbursuar më parë gjatë muajve të verës 5 miliardë lekë të tjera. Edhe pse muajt e fundit Ministria e Financave dhe vetë ministri Bode kishin deklaruar se KESH nuk do të përfitojë më financime të drejtpërdrejta nga qeveria rishikimi i buxhetit aktual, ka rezultuar me shpenzime të parealizuara në disa zëra prej 4 miliardë lekësh është një kredi dhe sipas Bodes është e fundit që qeveria i jep korporatës.