Fier, KESH nuk premton drita në ditët e festave
Edhe pse situata hidrike në vend është përmirësuar ndjeshëm, KESH nuk garanton furnizim pa ndërprerje për Krishtlindje dhe për Vitin e Ri. Në pragun e festave të fundvitit, prej njësisë së shpërndarjes së Energjisë Elektrike më Fierit, jo vetëm që nuk jepet garancia për furnizim normal me energji, por ajo që trumbetohet me të fortë është mospërdorimi i bolierëve dhe lavatriçeve nga qytetarët. Është drejtori i kësaj njësie elektrike, degë e stacionit të transmetimit të energjisë për rajonin e Fierit, Vlorës e Beratit, Leonard Osmënaj, ai që në një prononcim për gazetën "Shqip" ka thënë se: "me gjithë ndërhyrjet në rrjet, si dhe kontrollin e të gjitha linjave, sërish nuk mund të jepet garancia për një furnizim pa ndërprerje me energji elektrike në ditët e shkëmbimit të vitit, si dhe atë të Krishtlindjeve".
Osmënaj thotë se në këto ditë do të dalë në pah kapaciteti teknik i rrjetit të furnizimit në Fier. Ai e vë theksin te kujdesi që duhet të tregojnë konsumatorët gjatë këtyre ditëve, duke iu drejtuar me fjalët "mos e mbani dushin për 24 orë të takuar në prizë dhe mos lani tesha në lavatriçe gjatë ditëve të festave". Madje, drejtori i njësisë elektrike për Fierin, Leonard Osmënaj, ka deklaruar se edhe gatimi me energji elektrike duhet kryer disa ditë para festave, me qëllim që të mos ketë ngarkesë në rrjet.
Në deklarimin e tij për gazetën "Shqip", drejtori Osmënaj është shprehur se nga dita e djeshme ka nisur kontrolli një për një i të gjitha linjave të tensionit nëpër lagjet dhe blloqet e qytetit, deri te konsumatori, për të evituar defektet e mundshme që mund të dalin në rrjetin tashmë të njohur me probleme për shkak të amortizimit të tij. Në nënstacionin nr. 1 të qytetit, brigada e remontit dhe specialistë elektricistë kanë vëzhguar aparaturat dhe sistemin shpërndarës të energjisë.
"Ditën e shtunë kemi stakuar fideart e furnizimit për të gjithë zonën energjetike të Fierit dhe menjëherë pas kësaj ka nisur kontrolli. Duhet pranuar se ka defekte të shumta në linja e në rrjet, që do të tradhtojnë ditët festive. Fieri ende nuk e ka linjën e 20 mijë kilovoltëve dhe mungesa e kësaj linje vë para penalizimit me mungesë energjie konsumatorët e rrethit të Fierit", ka thënë kreu i njësisë, Leonard Osmënaj.
Edhe pse nga Filiali i KESH Fier, deklarohet se ka nisur reduktimi i kufizimeve prej disa ditësh në qytetin e Fierit dhe në rrethinat e tij, ato janë shtuar me një orë më shumë. Gjithashtu, zyrtarisht prej këtij filiali pranohet se ditën e shkëmbimit të viteve mund të ketë zona ku energjia do të mungojë totalisht, kjo vetëm për faktin se teknologjia e vitit 1953, e amortizuar, është mjaft e vështirë për t‘u riparuar në kohë rekord. Divizioni Shpërndarës i Energjisë për Fierin ka treguesit më të lartë të pagesës së energjisë që konsumon, ndërkohë që kjo zonë vuan orare të gjata të kufizimeve të energjisë.