E Diel, 1 Nëntor 2026

KESH kërkon para nga shkollat, edhe pse nuk u jep energji

Përfoljet për skandalet e KESH-it, kanë marrë pasaportën e vërtetësisë, pasi ata vijnë edhe nga vetë drejtuesit e pushtetit vendor. Kështu, në këto ditë, gjeografia e këtyre skandaleve ka ndalur në rrethin e Burrelit, ku dhe ushtron aktivitetin e tij Divizioni i KESH-it për Veriun dhe Verilindjen e vendit. Të zgjedhurit vendorë të këtij rrethi, akuzojnë KESH-in për abuzime marramendëse. Deri më tani kishim dëgjuar për vjedhjet në KESH, si lidhjet e dyfishta të realizuara nga vetë punonjësit e KESH-it, për faturat minimale të privatëve, paratë e të cilëve kalonin e vazhdojnë të kalojnë në xhepat e faturistëve të KESH-it etj. Por agjencia e shpërndarjes së energjisë në Mat ka përdorur një metodë krejt të veçantë për vjedhje dhe abuzime me energjinë. Këta "ustallarë" të KESH-it kanë faturuar energji aforfe për shkollat dhe qendrat shëndetësore në komuna, ndërkohë që në to nuk është harxhuar asnjë kilovat/orë energji. Kjo ka ndodhur në një kohë, kur për fshatin nuk ka drita nga ora 08.00 deri në orën 17.00, pasi ka vepruar orari i kufizimeve të tyre. Në të tilla kushte, as shkollat, as qendrat shëndetësore, që hapen në orën 8:00 dhe mbyllen në 15:00, nuk kanë mundur të harxhojnë energji elektrike. Por "ustallarët" e KESH-it kanë mbushur për ta fiktivisht fatura aforfe energjie për mbulimin e humbjeve të energjisë nga vjedhja. Ka qenë kryetari i Komunës së Komsisë, Pajtim Molla, i pari që ka akuzuar e denoncuar filialin e KESH-it Mat, për vjedhje e abuzime me energjinë në këtë komunë, pasi çdo muaj, ky filial ka dërguar faturën prej 30 mijë lekësh, për secilën shkollë, ndërkohë që ato nuk kanë pasur asnjë orë energji elektrike. Madje, për çudi, thotë ai, këto fatura kanë ardhur edhe gjatë verës, kur shkollat kanë qenë të mbyllura. Madje, në fshatin Selixë, të kësaj komune, nuk ka fare shkollë, ndërkohë që është faturuar apriori harxhim energjie elektrike. "Për këtë skandal kam dërguar letra në Divizionin e KESH-it në Burrel, por asnjë përgjigje nuk kam marrë. Nuk di se për llogari të kujt duhet të paguaj energji pa harxhuar", thotë kryetari Molla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›