Realizohen vetëm 30 për qind e investimeve të 2007-ës
Shkallë e ulët e realizimit të investimeve në Qarkun e Dibrës, ku për 10-mujorin, shkalla e këtij realizimi, është mbyllur në shifrën 30 për qind. Kjo është shifra e publikuar nga Prefektura Dibër, sipas të cilës, 70% e investimeve të planifikuara për këtë vit duhet të kryhen në 2 muaj, gjë kjo që është krejtësisht e pamundur. Një pamundësi e tillë vjen si për nga afatet kohore tejet të shkurtra, ashtu edhe nga një urdhër i Kryeministrit Berisha, me nr. 151 datë 10.09.2007, sipas të cilit, nuk do të kryhet asnjë investim dhe nuk do të financohet asnjë objekt, për të cilin nuk është bërë tenderimi dhe nuk është lidhur kontrata përkatëse, para datës 15.10.2007. Pra, sipas këtij urdhri, investimet për dy muajt e fundit të këtij viti, mbeten të bllokuara, gjë që do të thotë se për Dibrën ata mbyllen në shkallën e realizimit prej 30 për qindësh. Por ky urdhër i Kryeministrit, në asnjë moment, nuk ka gjetur zbatim. Kështu, në Buletinin nr. 44 të AKP-së, datë 5 nëntor 2007, publikohet për tenderim objekti "ngritje një kat e shkollës 9-vjeçare, ‘Demir Gashi‘ dhe ‘Selim Alliu‘", me një fond limit prej 36 milionë e 668 mijë lekë, pa TVSH-në, me financim për vitin 2007 në vlerë 12 milionë e 500 mijë lekë, për të cilën do zhvillohej tenderi më 5 dhjetor. Tenderi, ashtu siç dhe ishte parashikuar, u krye me sukses, por duhen 20 ditë që ai të hyjë në fuqi, sipas procedurave të ligjit për prokurimet publike. Pra, firma fituese, pritet që të fillojë punimet më 26 të këtij muaji dhe për 5 ditë të mbetura të këtij viti, i duhet të realizojë punime, në masën 12,5 milionë lekë, gjë që është krejtësisht e pamundur.