Gjysmë shekulli burg trafikantëve
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar gjysmë shekulli burg për katër trafikantë të lëndëve narkotike, përkatësisht për Pelivan Mehmetajn 14 vjet burg, Ylli Kapon 13, Ermal Nika 12 dhe Gentian Baba 12. Sipas pretencës, në datë 16 korrik 2006, i pandehuri Ylli Kapo, së bashku me Ermal Nikën, është larguar në drejtim të Gjirokastrës. Pasi Nika ka gjetur furgonin, ka filluar edhe transportimi i lëndës narkotike. Ai ka drejtuar furgonin, ndërsa Ylli Kapo dhe Gentian Baba ishin në makina të ndryshme, duke shoqëruar në distancë furgonin e Nikës. Po kështu edhe Pelivan Mehmetaj ka lëvizur me automjetin e tij para. Gjatë rrugës Ylli Kapo ka hasur punonjës të policisë. Për këtë arsye ai ka komunikuar në telefon me Nikën për të ndryshuar drejtimin e rrugës dhe për ta çuar furgonin. Gjatë rrugës Ylli Kapo, Ermal Nika dhe Pelivan Mehmetaj kanë biseduar për të shmangur kontrollin dhe për të fshehur furgonin.