Siguria në port, pesë anije luftarake të NATO-s mbërrijnë në Durrës
Mbërritja e anijeve ushtarake të NATO-s ka rritur masat e sigurisë në Portin detar të Durrësit. Paraditen e djeshme në kalatat e portit detar më të madh shqiptar ka nisur ankorimi i anijeve luftarake të NATO-s, në kuadrin e vizitave portuale që ndërmerr aleanca me vendet partnere. Mbërritja e anijeve është komentuar dhe në kuadrin e krijimit të sigurisë dhe stabilitetit në rajon pas krijimit të shtetit më të ri, Kosovës. Gjatë vizitës 5-ditore të luftanijeve janë parashikuar të kryhen manovra dhe aktivitete të përbashkëta me palën shqiptare. E para është ankoruar fregata turke "TCG Salihreis", e cila është dhe flamurmbajtësja e ndjekur nga ajo britanike. Më pas, në portin më të madh të vendit janë futur njëra pas tjetrës edhe fregatat gjermane, italiane dhe greke. Komandant i grupit të anijeve është kundëradmirali Sinan Ertugru. Të pesta këto anije luftarake i përkasin grupit të dytë detar të NATO-s dhe kanë ardhur në vendin tonë në kuadër të programit të vizitave portuale, program ky që synon të forcojë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin mes NATO-s dhe vendeve aleate, si dhe njohjen e kësaj force ushtarake me partnerët e saj dhe vendosjen e urave të bashkëpunimit me autoritetet vendore ushtarake dhe ato civile. Kështu, vizita është në funksion të forcimit, bashkëpunimit dhe rritjes së mirëkuptimit ndërmjet NATO-s dhe Shqipërisë. Forca të shumta të policisë shqiptare ushtarake shqiptare, të sigurisë portuale dhe Policisë së Shtetit kanë marrë masa të larta sigurie duke formuar një kordon përgjatë kalatave 2-5 të portit. Gjatë kësaj vizite 5-ditore, ekuipazhet e fregatave do të vizitojnë qytetet kryesore dhe ato historike të vendit, përfshirë muzeumet, si dhe do të zhvillohen trajnime dhe aktivitete të ndryshme sportive mes ekuipazheve të anijeve ushtarake të NATO-s dhe ushtarakëve tanë.
Vizita e anijeve të NATO-s është në vijim të asaj të bërë në fillim të shkurtit nga komandanti i njësisë detare Napoli, nënadmiral Roberto Cesaretti, i cili si përfaqësues i NATO-s nënshkroi memorandumin taktik të mirëkuptimit për pjesëmarrjen dhe kontributin e Shqipërisë në operacionin "Active Endeavou". Grupi II detar i NATO-s, zbaton një program të vazhdueshëm të trajnimit operacional dhe kryen vizita portuale me qëllim që kjo forcë të njihet më mirë te partnerët dhe të zhvillojnë më tej marrëdhëniet e vlefshme me autoritetet ushtarake civile. Në këtë rast, vizita e grupit detar është një mundësi e veçantë për informimin e autoriteteve kombëtare dhe popullsinë lokale për aftësitë e këtij grupi dhe aktivitetin e saj.