Durrës, prindërit në polici denoncojnë djalin e dhunshëm
Dy prindër kanë denoncuar në polici djalin 45-vjeçar. Mes turpit dhe dhembjes, burrë e grua në moshë të shtyrë i janë drejtuar policisë për të denoncuar njeriun të cilit i dhuruan jetën dhe e bënë burrë. Në kallëzimin e tyre, prindërit e Albert Çermës nga Durrësi kanë deklaruar se janë pre e dhunës së të birit në mënyrë të vazhdueshme dhe shpesh kanë shpëtuar nga duart e tij falë ndërhyrjes së fqinjëve. Dhuna e vazhdueshme i ka detyruar të shkojnë në dyert e policisë, po lënia e djalit të lirë i ka frikësuar më tej të moshuarit. Seksioni i Mbrojtjes së të Miturve e Dhunës në Familje me të marrë këtë denoncim nisi procedimin penal në gjendje të lirë ndaj birit dhunues për veprën penale të dëmtimeve të tjera më dashje ndaj shtetasit Albert Çerma, banues në lagjen 16 të Durrësit. Prindërit e Çermës, babai 74-vjeçar dhe nëna 68 vjeçe, kanë pohuar dhe treguar shenjat e dhunimit më të fundit nga i biri dy ditë më parë. Ata kanë thënë se nuk e kuptojnë këtë dhunë të vazhdueshme ndaj tyre. Janë rrahur e fyer sistematikisht nga djali i tyre dhe kanë kërkuar më në fund mbrojtje. I marrë në pyetje nga policia, djali 45-vjeçar ka shkaktuar habi me deklarimin e tij. Ai ka pranuar dhunën që ushtron mbi to dhe ka thënë se i do njerëzit që i dhanë jetën, po veprimet në dëm të prindërve të vet i kryen në gjendje të pavetëdijshme. Më pas ai është lënë i lirë, ndërsa prindërit janë ndjerë të frikësuar nga ky veprim i policisë. Lirimi i djalit pas denoncimit ka shtuar frikën për rritjen e dhunës ndaj tyre nga Alberti. Ndërsa policia sqaron se për të moshuarit është lëshuar urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes. Një tjetër rast i dhunës brenda familjes është shënuar në Durrës kur bashkëshorti denoncohet për dhunë fizike nga gruaja. Nën hetim është vënë shtetasi Ded Beci, 60 vjeç, lindur në Perlat të Mirditës e banues në lagjen 15 të Durrësit, i paarsimuar. Procedimi penal ndaj këtij shtetasi filloi për arsye se një ditë më parë ka bërë kallëzim pranë policisë, bashkëshortja e tij, e cila deklaron se të enjten është keqtrajtuar nga i shoqi dhe ky nuk ka qenë rasti i vetëm. Edhe më parë në mënyrë sistematike, është dhunuar fizikisht e psikologjikisht nga burri i saj. Edhe në këtë rast u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes dhe materialet procedurale iu kaluan për ndjekje organit të akuzës durrsake.