E Diel, 1 Nëntor 2026

Austria premton se do ta njohë e para Kosovën e pavarur

Bashkimi Evropian duhet ta zgjidhë çështjen e Kosovës, nëse dëshiron që ta rrisë kredibilitetin e vet në arenën ndërkombëtare, ka thënë kancelari austriak Alfred Gusembauer në një intervistë të publikuar në agjencinë austriake të lajmeve. Ai ka nënvizuar se blloku prej 27 anëtarësh duhet të tregojë se "mund të zgjidhë problemet evropiane", duke e përshkruar Kosovën si "problemin e fundit të pazgjidhur nga shekulli i 20-të". "Liderët e Bashkimit Evropian janë pajtuar të shohin zgjidhjen finale të statusit të Kosovës dhe pasojat e vazhdueshme si sfidë për Evropën", ka theksuar Gusembauer. Ai i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të jenë përgjegjës për shmangien e dhunës në javët e ardhshme, kur pritet shpallja e pavarësisë së Kosovës. Kancelari austriak ka përsëritur se vendi i tij do ta njohë ndër të parët pavarësinë e Kosovës. Ndërkaq, shefi i diplomacisë italiane, Masimo d‘Alema, ka bërë thirrje për një qëndrim të përbashkët të Bashkimit Evropian me rastin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Në një mesazh me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Paqes dërguar sekretarit të Shtetit të Selisë së Shenjtë, D‘Alema ka thënë se aftësia e BE-së për të vepruar në mënyrë të harmonizuar në rajonin e Ballkanit do të tregojë sesa Unioni mund të jetë protagonist pozitiv në marrëdhëniet ndërkombëtare. Italia ka propozuar nisjen e përshpejtuar të procesit të afrimit të Serbisë me BE-në, si kompensim për pavarësinë e Kosovës, kurse Selia e Shenjtë kërkon që me rastin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës asnjëra palë të mos ndjehet e dëmtuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›