Të burgosurit kthehen në qeli pas festës së fundvitit
Të burgosurit që arritën të merrnin leje për të festuar ndërrimin e viteve pranë familjeve të tyre kanë nisur të rikthehen në vendet e vuajtjes së dënimit. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Lulëzim Kodra, ka konfirmuar dje për "Shqip" se deri tani janë kthyer në qeli pjesa më e madhe e të burgosurve që morën leje për festë. "Kthimi është bërë në datat e caktuara më parë dhe nuk ka pasur asnjë problem me të gjithë të burgosurit që kishin shkuar pranë familjeve për vitin e ri. Ata kanë respektuar me korrektesë edhe orarin e caktuar për t‘u paraqitur pranë vendeve të vuajtjes së dënimit", tha Kodra, ndërsa saktësoi se ky proces do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim. Sipas tij, kjo ndodh pasi lejet e dhëna kanë si afat të fundit për kthimin në qeli data të ndryshme, të cilat duket se të burgosurit po i respektojnë. Në ditët e fundit të vitit të kaluar, burime zyrtare nga Drejtoria e Burgjeve thanë se rreth 100 të burgosur do të përfitonin të drejtën për të festuar pranë familjeve të tyre. Ata ishin zgjedhur me kujdes midis personave që u ka mbetur pak kohë për të vuajtur, apo që nuk janë dënuar për vepra të rënda penale. Në këtë mënyrë, Drejtoria e Burgjeve ka synuar që të shmangë ndonjë rrezik të mundshëm për moskthim e tyre në qeli në kohë, apo dhe më keq, arratisjen e tyre.
Zyrtarisht, nga Drejtoria e Burgjeve u deklarua dje se festa e vitit të ri ka kaluar pa probleme apo incidente në burgjet shqiptare. Ndërrimi i viteve është bërë në mënyrë festive edhe në institucionet e riedukimit, por në mbikëqyrje të rreptë të policisë së burgjeve, e cila ka qene në gatishmëri për çdo situatë të mundshme. "Nuk kemi pasur asnjë problem dhe punonjësit e burgjeve janë përpjekur që të krijojnë një situatë të përshtatshme për të festuar vitin e ri edhe për të burgosurit", u shpreh zëvendësdrejtori Kodra. Krahas masave të sigurisë, të cilat në të tilla raste janë të larta, për të eliminuar ndonjë rrezik për tentativa arratisjeje, duket se administrata e burgjeve ka qenë e kujdesshme për të krijuar kushte sa më të mira dhe ushqim të bollshëm për të burgosurit, duke shmangur edhe mundësinë e ndonjë "rebelimi" që mund të shkaktohej nëse do të kishte mungesa në këtë drejtim. Madje, sipas zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve është arritur të sigurohet një ushqim më kualitativ se vitet e kaluara, duke shtuar asortimente tradicionale në tryezat e të burgosurve. "Kemi mbajtur premtimin për t‘u siguruar të burgosurve në tryezat e fundvitit atë që konsiderohet si ushqimi tradicional i kësaj feste, gjelin e detit", thotë zëvendësdrejtori Kodra.