Ultimatumi i Serbisë: Nëse njihet Kosova, s‘futemi në BE
Krerët e Serbisë i kanë dërguar evropianëve një lloj "ultimatumi" se duhet të zgjedhin nëse do të miratojnë marrëveshjen me Serbinë ose të vendosin për dërgimin e misionit civil në Kosovë. Kryeministri Vojisllav Koshtunica ka thënë në një deklaratë për mediat serbe se "BE-ja duhet të zgjedhë më 28 janar nëse dëshiron të nënshkruajë marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Serbinë ose nën presionin e SHBA-ve atëherë do të miratojë vendimin për dërgimin e misionit të vet civil në Kosovë", thuhet në një deklaratë të Koshtunicës. "Kemi ardhur deri në pikën kur BE-ja patjetër duhet të bëjë zgjedhjen se a e don të tërën dhe Serbinë e njohur ndërkombëtarisht për partner të vetin apo don të krijojë një krijesë pothuaj shtetërore në territorin e Serbisë", thotë Koshtunica. Ndërkaq Presidenti serb, Boris Tadiq, nëpërmjet një deklarate me shkrim, ka kundërshtuar qëndrimin e kancelarit austriak Alfred Gusembauer dhe ka ftuar burrë shtetasit e vendeve që marrin pjesë në zgjidhjen e problemit të Kosovës, që çështjes së statusit të ardhshëm të Kosovës t‘i qasen me përgjegjshmëri dhe që të përmbahen nga prejudikimi i zgjidhjes përfundimtare.
Në prag të seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së kushtuar Kosovës, Beogradi përsëri ka nisur një ofensive diplomatike për t‘i "bindur" ambasadorët e vendeve anëtare të KS për vazhdimin e negociatave për statusin e Kosovës. Shefi diplomacisë serbe Vuk Jeremiç është nisur për në Nju Jork për të zhvilluar aktivitete diplomatike në prag të seancës së Këshillit të Sigurimit për Kosovën, si dhe për të dorëzuar edhe përgjigjen e qeverisë serbe ndaj raportit të shefit të UNMIK-ut, Joakim Ryker, ndonëse zyrtarët e UNMIK-ut kanë mohuar që Ryker të ketë dorëzuar raportin në OKB. Ndonëse data e mbajtjes së seancës së Këshillit të Sigurimit ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht, Presidenti serb Boris Tadiq deklaroi këto ditë se edhe ai do të marrë pjesë në këtë seancë që duhet të mbahet më 9 janar. Pas deklaratës së kancelarit austriak Alfred Gusembauer se vendi i tij ndër të parët do ta njohë ndër të parët pavarësinë e Kosovës, ka reaguar menjëherë Beogradi zyrtar. Shefi i diplomacisë serbe Vuk Jeremiç i ka dorëzuar një demarsh ambasadorit austriak në Beograd në të cilin thuhet se "Serbia kundërshton ashpër deklarata të tilla duke konsideruar se procesi i negociatave për statusin e ardhshëm të Kosovës duhet të vazhdojë nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara". "Deklarata të tilla dëmtojnë në një masë të madhe marrëdhëniet bilaterale të Austrisë dhe Serbisë", tha Jeremiç.