Autoriteti i Konkurrencës, hetim firmave tregtuese dhe importuese të hidrokarbureve
Ervin Koçi
Çmimi i lartë i tregtimit të hidrokarbureve në vendin tonë dhe shpeshherë edhe mashtrimet që përdorin grosistët dhe tregtuesit me justifikimet e çmimit të shumicës, më në fund duket se do të kontrollohen. Autoriteti Shtetëror i Konkurrencës së bashku me një task-force të përbërë nga ekspertë të Inspektoratit të Naftës dhe Gazit në Ministrinë e Ekonomisë dhe Policisë Tatimore, kanë nisur prej disa kohësh një hetim të pavarur. Synimi i këtij hetimi është që të verifikojnë skemën monopoliste që grosistët dhe importuesit e hidrokarbureve ndjekin me çmimin e naftës, që nga blerja me shumicë deri tek shitja e tij me pakicë. Sipas Autoritetit, grosistet e naftës importojnë naftë me cilësi të dobët për konsumatorin shqiptar, sepse ajo importohet nga vendet e treta dhe jo nga shtetet prodhuese të OPEC-ut. Edhe pse shqiptarët përdorin naftë me cilësi më të ulët, fluksi i madh i automjeteve që përdorin këtë produkt ka inkurajuar kërkesën dhe si rrjedhoje i ka ngritur çmimet në nivele të papërballueshme për konsumatorin shqiptar. Por importuesit nga ana e tyre thonë se, arsyeja kryesore e çmimit të lartë janë taksat fiskale dhe vetëm ulja e tyre do të bënte të mundur të pasqyronte ndonjë ulje të çmimit të naftës në pikat e distribucionit.
Mashtrimi me uljen
Edhe pse në tregun ndërkombëtar çmimet janë ulur me më shumë se 40 për qind, në tregun tonë shihet vetëm një ulje prej 5-6 për qind, duke mos qenë aspak në linjën e uljes së bursave ndërkombëtare. Por importuesit, krejt në të kundërt, këmbëngulin që çmimet aktuale reflektojnë ato të tregjeve ndërkombëtare. Por ekspertët dhe institucionet nuk mendojnë plotësisht kështu, sidomos Autoriteti i Konkurrencës, që është në përfundim të hetimeve mbi shkeljet e konkurrencës në tregun e karburanteve. Përveç Autoritetit të Konkurrencës, që ka nisur hetimet për të konstatuar nëse ekziston ndonjë lidhje e fshehtë midis grosistëve, opinioni publik ka akuzuar shpeshherë importuesit e karburanteve për çmime spekulative. Hetimet e thelluara të filluara prej kohësh nga task-forca “anti-moponol” (Autoriteti i Konkurrencës) pritet të bëhen publike së shpejti, ndonëse drejtues të këtij institucioni janë të rezervuar në dhënien e opinioneve, duke respektuar fshehtësinë e procesit hetimor.
Hetimet
Fillimi i këtyre hetimeve nga ana e Autoritetit të Konkurrencës presupozojnë dyshime të bazuara mbi ngritjen e çmimeve në treg nga ana e importuesve, ndarje të tregut të brendshëm ndërmjet tyre, si dhe bashkëpunim në caktimin e çmimit të tregtimit me shumicë të naftës, duke siguruar fitime të pamerituara në dëm të konsumatorëve. Me të njëjtin opinion bashkohen dhe specialistët e ekonomisë. Ata shprehen se "vetëm formalisht ose ligjërisht tregu i tregtimit dhe importit të hidrokarbureve është i liberalizuar në vendin tonë, ku aktualisht janë lëshuar rreth 40 licenca për importimin e karburanteve, por pesha në treg ndërmjet tyre flet për një numër më të vogël, të dominuar vetëm nga disa prej kompanive kryesore të importit të cilat diktojnë edhe çmimet e pakicës”. Nga ana tjetër, ekspertët e ekonomisë mendojnë se, tregu vendas nuk ka hapësirë për të pranuar një numër kaq të madh importuesish. Në një aspekt tjetër, nëse do të ekzistonte një konkurrencë e pastër, në treg do të kishte një fleksibilitet më të madh të çmimeve të shitjes me pakicë të karburanteve, duke iu përgjigjur luhatjeve në bursat e huaja dhe mbi të gjitha do të kishim një proces intensiv të "metabolizmit" të firmave importuese dhe tregtuese. “Kjo do të thotë që do të kishim një zbatim të procedurave ligjore të falimentimit të atyre firmave që nuk përballojnë dot konkurrencën, siç ndodh shpeshherë në ekonominë e tregut. Në rastin tonë ky proces do të evitonte shfaqjen e fenomenit të reflektimit të ndryshimeve të çmimeve në bursat e huaja vetëm në drejtimin e rritjes së tyre dhe asnjëherë në drejtimin e kundërt”, - shprehen ekspertët e pavarur të ekonomisë.
25 Shtator 2008