Skema monopol, firmat e hidrokarbureve me lidhje midis tyre
Nga hetimet e deritanishme në tregun e karburanteve, burime konfidenciale nga Autoriteti i Konkurrencës janë shprehur për gazetën “Albania” se midis firmave të importuesve të hidrokarbureve ekzistojnë lidhje dhe marrëveshje të fshehta. "Mënyra e funksionimit të firmave importuese tregon se ato janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe mund të marrin vendime të njëjta, si për zonat e tregut brenda vendit ku ato veprojnë, ashtu edhe për çmimet e aplikuara në treg. Madje, për sa i përket çmimit në treg, këto firma përdorin edhe informacionin (mediat audio-vizuale) si mjet komunikimi për unifikimin e çmimeve të shitjes së tyre me pakicë"- shprehen për gazetën burimet konfidenciale nga Autoriteti i Konkurrencës. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bën të ditur se në përgjithësi, firmat shqiptare importojnë karburantet nga të njëjtat vende dhe kryesisht nga republikat e ish-Bashkimit Sovjetik (Ukraina, Gjeorgjia etj.). Gjithashtu, janë vërejtur edhe disa raste kur edhe pse nafta është blerë në një kohë kur çmimi ka qenë më i favorshëm, anijet-cisternë qëndrojnë në ujërat ndërkombëtare dhe ndjekin lëvizjet e çmimit për të pasur si referencë tarifa më të favorshme ndaj detyrimeve të tyre doganore. Ky mall kalon vetëm nëpër duart e disa firmave dhe çmimi mbetet përgjithësisht i lartë, edhe pse ai ulet në vendet prej nga është importuar apo në bursat perëndimore, mbi të cilat mbështeten referencat doganore të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Ekspertë të shoqatave të mbrojtjes së konsumatorëve pohojnë se përveç kartelizimit të mundshëm të tregut, për të cilin po heton aktualisht Autoriteti i Konkurrencës, arsye të tjera që nuk lejojnë uljen e çmimit të karburanteve janë: cilësia e dobët e naftës që kërkon një kosto të lartë përpunimi, evazioni fiskal apo fshehja e fitimeve nga tregtia e tyre me pakicë dhe paaftësia e institucioneve shtetërore, që nuk luajnë rolin e tyre në rregullimin e tregut.
Çmimi i hidrokarbureve në kryeqytet
Në pikat e tregtimit të karburantit në Tiranë, të mërkurën 1 litër naftë u shit mesatarisht me 150 lekë, ndërsa 1 litër benzinë me 147 lekë.
Nafta (diezel) 145 lekë
Euro diezel 153 lekë
Benzina 147 lekë
25 Shtator 2008